Irani nxiti Rusinë në Siri; gjenerali iranian u takua me Presidentin Putin

08/10/2015 00:00

Teherani ka lobuar fort për nisjen e fushatës ruse në Siri, e luan rol të fuqishëm edhe në Irak.

Zyrtarë të qeverisë në Damask i thanë “Associated Press” se, kreu i forcave elite iraniane “Quds”, gjenerali Qassem Soleimani udhëtoi drejt Moskës në muajin gusht, me mesazhin se sulmet ajrore ruse kundër Shtetit Islamik në Siri ishin vendimtare.

Sipas të njëjtave burime, Soleimani dhe Vladimir Putin i kanë hedhur së bashku një sy hartave dhe fotove të kundërzbulimit, ndërsa kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin informacione sekrete, që regonin se grupi militant mund të trokiste edhe në portat e Rusisë, në Kaukaz, nëse Moska nuk hidhej në veprim.

Takimi mes njërit prej gjeneralëve më të fuqishëm të regjimit të ajatollahëve dhe shefit të Kremlinit, thuhet të ketë zgjatur 3 orë. Në të u diskutuan gjithashtu planet për krijimin e një qendre të ndarjes së informacioneve mes Irakut, Sirisë, Iranit dhe Rusisë, selia e të cilës të ishte në Bagdad. Qendra në fjalë është sot plotësisht funksionale.

Gjatë vizitës së tij, Soleimani thuhet të jete takuar po ashtu me krerë të lartë ushtarakë rusë. Dy zyrtarët irakianë folën për “Associated Press” në kushte anonimati, pasi siç thanë, nuk ishin të autorizuar të jepnin informacione mbi takimin e fshehtë.

Si Teherani, ashtu dhe Moska kanë preferuar të mos komentojnë mbi këtë zhvillim, i cili, nëse është i vërtetë do të përbënte mes të tjerash shkelje të sanksioneve të udhëtimit të vendosura mbi Qassem Soleimanin nga OKB-ja.

Përfshirja e Moskës në konfliktet e Lindjes së Mesme shënon një moment kthese për aleancat e saj, sidomos me Irakun, ku zyrtarët ankohen se fushata ajrore e koalicionit anti-ISIS nuk kanë qenë aq të efektshme sa ç’shpresonin, e ku kryeministri vetë ka thënë se i mirëpret avionët rusë.

Top Channel