Kosovë, Jahjaga dënon veprimet e prapranueshme të opozitës

08/10/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënon veprimet e papranueshme, që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës të kësaj të enjteje, për të tretën javë me radhë.

Kryetarja e shtetit, përmes një postimi në Facebook ftoi deputetët, që mospajtimet konceptuale e politike t’i diskutojnë me focën e argumentit dhe kulturës parlamentare. Po kështu, ajo i ftoi deputetët të distancohen nga dhuna, të respektojnë institucionet që janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, përfshirë sakrificën e tyre personale.

Edhe Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate shpreh keqardhje për, siç thotë, dhunën e një grupi deputetësh të opozitës të përdorur sot në Kuvend.

Zyra e kryeministrit thekson se, pavarësisht kushteve ekstreme të krijuara nga dhuna e manifestuar nga ky grup deputetësh opozitarë, falë vendosmërisë dhe përkushtimit demokratik të shumicës parlamentare, sot në Kuvend u miratuan disa projektligje me rëndësi për jetën e qytetarëve, të propozuara nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës u ka bërë thirrje grupit të deputetëve opozitarë, të cilët me sjelljet e tyre të dhunshme, në veçanti sot, tejkaluan çdo kufi të sjelljes institucionale dhe demokratike, t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat jetike të qytetarëve, të shtetit, si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së.

Top Channel