Refuzoi notën e protestës, Vuçiç: Boçkën e mohojmë si ambasador

08/10/2015 15:00

Në një konferencë për mediat, pas takimit që ka pasur me ministrin e punëve të Jashmte të Britanisë së Madhe, Philip Hammond, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se Serbia nuk dëshiron të acarojë marrëdhëniet me Shqipërinë, por sjellja e ambasadorit shqiptar në Beograd, Ilir Boçka, nuk është një sjellje e hijshme diplomatike.

Pas refuzimit të marrjes së notës së protestës, Vuçiç tha se në procedurat e njohura diplomatike ka dy forma veprimi.

“Sa i përket ambasadorit të Shqipërisë, ai ka të drejtë të bëjë një veprim të tillë, kurse Serbia ka dy mundësi: e para t’i thotë se është person ‘non grata’ dhe e dyta është që ai të mos takojë zyrtarë të lartë për 6 muajt në vijim. Vendimi im është të mos i vëmë marrëdhëniet në këtë nivel, por për 6 muaj nuk mund të vijë tek unë apo te zyrtarë të tjerë të lartë. Sjelljet e tilla janë jodiplomatike dhe nuk mund të tolerohen”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Ambasada shqiptare në Beograd ka sqaruar se, nuk bëhet fjalë për refuzim komunikimi me institucionet, por në refuzim të vajtjes fizike në Ministrinë e Jashtme, për shkak se nuk është konsideruar kaq serioze, ky veprim ka ardhur duke mos dashur të krijohet tension para ndeshjes.

Kontaktet me institucionet do t’i mbajnë punonjësit e Ambasadës dhe nuk bëhet fjalë për ulje të nivelit diplomatik.

Vuçiç ka thënë se nuk ka pasur garanci për mospjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, ndaj dhe vizita e tij do të thoshte përulje e Serbisë.

Ministria e Jashtme serbe i dorëzoi një notë proteste ambasadorit të Shqipërisë, i cili nuk iu përgjigj thirrjes, lidhur me incidentin për goditjen me gurë të autobusit me ekipin kombëtar të futbollit të Serbisë.

Top Channel