Mashtronte duke këmbyer euro false, arrestohet 31-vjeçari

09/10/2015 10:05

Një 31-vjeçar kishte gjetur një mënyrë mashtrimi me kartmonedha false, veprim që e kishte kryer mbi 14 herë. Pas denoncimit të një shtetaseje, në kuadër të operacionit të koduar “Pacienti i rremë”, policia vuri në pranga Ylli Trocin, nga Dibra.

Pranë ambienteve të Spitalit të Traumës, ky person ka mashtruar 57-vjeçaren N. G., duke i kërkuar të shkëmbejë 150 euro, që sipas tij i duheshin para’ shqiptare për mjekët. Në këmbim ajo i ka dhënë Trocit 25 mijë lekë të reja. Pasi është larguar, 57-vjeçarja ka konstatuar se kartmonedhat ishin false dhe ka bërë denoncimin në seksionin për krimin ekonomik në Tiranë.

Pas hetimeve të menjëhershme, policia ka bërë identifikimin dhe kapjen e Ylli Trocit. Nga veprimet e kryera, u konstatua se 31-vjeçari nga Dibra është autor edhe i 14 ngjarjeve të tjera të dokumentuara me të njëjtën formë mashtrimi. Ndaj tij rëndon akuza e falsifikimit të monedhave dhe mashtrimit.

Top Channel