Zgjidhja e krizës në Libi, OKB propozon krijimin e një qeverie të unitetit

09/10/2015 11:40

Kriza e emigrantëve po e shtyn komunitetin ndërkombëtar t’i kërkojë zgjidhjet që në rrënjët e saj, një prej të cilave është edhe vendi nga ku marrin rrugën drejt Evropës shumica dërrmuese e këtyre njerëzve.

Pas muaj të tërë bisedimesh të lodhshme, i dërguari i Kombeve të Bashkuara në vendin e zhytur në kaos që prej përmbysjes së Muamar Gadafit propozoi krijimin e një qeverie uniteti. Prej një viti, Libia ka dy parlamente rivale, njëri në Tripoli, i mbështetur nga islamikët dhe një ekzekutiv në lindje, i cili edhe njihet ndërkombëtarisht.

Bernardino Leon sqaroi gjatë një konference shtypi se, sipas planit të OKB-së, kryeministër do të caktohet Fayez Sarraj: “Pas një pune 1-vjeçare për këtë proces, pas bashkëpunimit me mbi 150 personalitete libiane nga të gjithë rajonet, ka ardhur më në fund momenti të propozojmë një qeveri të unitetit kombëtar. Të gjithë pjesëtarët e saj do të punojnë së bashku si një ekip i vetëm”.
 
Çështja është se me marrëveshjen duhet të pajtohen të dy parlamentet dhe disa ligjvënës u shprehën skeptikë që në fillim.

Abdulsalam Bilashahir, nga kongresi me seli në Tripoli, tha: “Ne nuk jemi pjesë e kësaj qeverie të re që propozohet. Një nismë e tillë nuk na thotë asgjë; me ne nuk është konsultuar njeri”.
 
Ibrahim Alzaghiat, nga Dhoma e Përfaqësuesve, deklaroi: “Kjo qeveri do të çojë drejt ndasish akoma më të thella në Libi dhe do ta kthejë vendin në talljen e të tjerëve. Zgjedhja e zotit Leon nuk është aspak e mençur”.
 
Duke qenë se parlamentet kundërshtare nuk i kanë pranuar ende kriteret e marrëveshjes politike që parashikon ekzekutivin e përbashkët, shpallja e emrave tingëlloi si hap i nxituar. Leon megjithatë është i bindur se lista e ministrave që propozon mund të funksionojë. Dhe zgjidhja tanimë kërkohet shpejt. Kaosi politik e dhuna që kanë pllakosur vendin pas rrëzimit të diktatorit në vitin 2011, i ka lejuar militantët islamikë që të fitojnë terren në Libi, ndërsa trafikantët e njerëzve i përdorin mëse lirisht brigjet libiane për të nisur me dhjetëra-mijëra emigrantë në Evropë përmes Mesdheut.

Top Channel