Duhanpirja është një fenomen aq i përhapur në Kinë, sa një studim i fundit lëshon alarmin duke thënë se thuajse gjysma e meshkujve që aktualisht janë nën 20 vjeç, do të vdesin para kohe nëse nuk heqin dorë nga vesi.

Studimi, i publikuar në revistën “The Lancet” thotë se dy të tretat e meshkujve kinezë nisin duhanpirjen para moshës 20-vjeçare dhe ky ves do të vrasë gjysmën e tyre.

Në hartimin e raportit përfundimtar ndihmuan dy studime të ndara në 15 vite distancë e ku janë përfshirë mijëra duhapirës.

Vetëm në 2010, në Kinë gjetën vdekjen si pasojë e duhanit rreth 1 milionë njerëz, shifër që me këtë trend do të dyfishohet brenda vitit 2030.

Studimi arrin në përfundimin se duhapirja është një ves i burrave kinezë. Më shumë se gjysma e tyre e pijnë rregullisht cigaren, ndërkohë që për femrat, vetëm 2.4 përqind e tyre kanë varësi nga ky ves.

Studimi u krye nga Akademia Kinezë e Shkencës dhe Mjekësisë, Qendra Kineze e Kontrollit të Sëmundjeve në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Top Channel