Arrest me burg për “Ballistin”

09/10/2015 13:10

Ismail Morina u shfaq me bluzë të kuqe me simbolin e flamurit në Gjykatën e Tiranës, por nuk u lejua që ta mbante veshur atë, pasi kjo gjë është e ndaluar në gjykatë.

I vetëshpallur me nofkën “Ballisti”, pas lëshimit të dronit thuajse një vit më parë në fushën ku zhvillohej ndeshja Serbi-Siqipëri, mbi Morinën tashmë rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje.

I kthyer në një personazh gjatë kësaj kohe, Morina u arrestua një ditë para ndeshjes së kthimit në Tiranë, pas raportimit nga një qytetar në sallën operative se në automjetin ku ai udhëtonte gjendeshin armë.

Prokurori nënvizoi në fjalën e tij se kërkon arrest me burg për shkak se në makinë iu gjetën dy armë, fakt i pranuar edhe prej vetë Morines.

Po ashtu, në makinë tha prokurori, u gjet edhe një parrullë në gjuhë të huaj me kuptimin “Unë jam shqiptar”. Për avokatin armëmbajtja është pranuar nga vetë klienti i tij dhe në një intervistë për një media të huaj.

Ismail Morina i tha gjykatës se e pranon veprën e armëmbajtjes pa leje, por unë shtoi ai, nuk kam patur dhe nuk do kem asnjëherë konflikt me shqiptarë.

“Nuk kërkoj mëshirë dhe jam dakort me çfarë u shpreh mbrojtësi im”, mbylli fjalën e tij Morina.

Gjykata shpalli arrest me burg për të, ndërkohë që për tre shokët të cilët kishin dijeni për armët e Morinës u deklarua masa e detyrimit me paraqitje.

Top Channel