Vlahutin: Reforma në drejtësi, kushti kryesor për integrimin

09/10/2015 13:05

Ambasadorja e BE nga Korça e ka konsideruar reformën në drejtësi si kushtin kryesor për integrimin e Shqipërisë. Sipas Vlahutin ky është një moment kritik për Shqipërinë pasi kjo është një reformë e padiskutueshme.

Ambasadorja ka theksuar se në këtë progres do të qartësohet ecuria e Shqipërisë dhe do të nxirret në pah hapësira ku duhet punuar. Ambasadorja ka vlerësuar faktin se opozita u kthye në punën për reformën në drejtësi.

“Ju e dini që kemi 5 prioritete kyçe, dhe tre prej tyre kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës. Dhe këto janë reforma në gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsioni. Do të thosha që në një mënyrë ky është një moment kritik për Shqipërinë, madje do të thosha edhe në një moment historik për vendin. Nëse kjo reforma do të bëhet mirë, me ndërhyrjet e qarta dhe të thella në sistemin që është e qartë që nuk po funksionon siç duhet. Nëse do të jemi të suksesshëm kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Shqipëria do të ecë përpara me hapa shumë më të shpejtë. Kjo është një reformë thelbësore dhe është edhe e panegociueshme. Me fjale të tjera, duhet të bëhet”, tha Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së.

Këto deklarata ambasadorja i ka bërë pas një vizite në Bashkinë e Korçës.

Top Channel