Policia krijon regjistrin elektronik për armët e zjarrit

09/10/2015 13:55

Çdo armë zjarri në Shqipëri tashmë do të jetë e regjistruar në një bazë të dhënash elektronike e ngrituar policia e shtetit, falë një donacioni të Bashkimit Europian. Regjistri elektronik kombëtar i quajtur SIMA, vjen si domosdoshmëri edhe pas ndryshimeve të një viti më parë në ligjin për armët.

“Krijim i një baze të dhënash elektronike, siç është regjistri elektronik i armëve, do të ketë ndikimin e vet duke rritur kontrollin ndaj armëve të lehta dhe të trafikimit apo përdorimit të tyre nga të gjitha kategoritë shoqërore. Ky regjistër do të përmirësojë edhe sistemet e policisë së shtetit në regjistrimin dhe mbajtjes së të dhënave në lidhje me armët, poseduesve të tyre, dhe duke gjeneruar informacion të vlefshëm në çfarëdo lloj kohe për administratorët, përdoruesit dhe mbikqyrësit e armëve”, tha Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

“Ky aplikacion do të regjistrojë çdo armë që do të jetë e regjistruar nga strukturat policore po dhe çdo armë private në pronësi të subjekteve juridike-fizike. Ligji i ri për armët ka bërë të domosdoshëm kontrollin e armëve në format elektronik”, tha Ilirjan Mustafaraj, zv. ministër i Brendshëm.

Krijimi i regjistrit kombëtar të armëve ishte edhe një rekomandim i Bashkimit Europian në fushën e sigurisë, në kushtet kur vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten shtete tranzit në trafimin ndërkombëtar të armëve.

Top Channel