PD: OSHEE rriti fondin limit që të përfitonte miku i Edi Ramës

09/10/2015 14:00

Partia Demokratike deklaroi se OSHEE rriti fondin të vënë në dispozicion për rikonstruksionin e godinës, në mënyrë që miku i Edi Ramës të përfitonte sa më shumë.

Zëdhënësja e Selisë Blu, Oriela Nebijaj tha në një konferencë për shtyp se ka patur një ofertues të dytë, që është skualifikuar.

“Siç tregojnë të dhënat, OSHEE ka vënë në shërbim të mikut të Edi Ramës, ndërtuesin e sarajeve të tij në Surrel, gati dyfishin e shumës që nevojitet për punën. Këtë e vërteton më së miri ofertuesi i dytë, i skualifikuar, i cili merr përsipër të kryejë rikonstruksionin me shumën 3 miliardë e 800 milionë lekë, ku përfshihet sigurisht dhe fitimi i tij, ndërkohë që kryehajduti i OSHEE ka ndarë që në fillim 5 miliardë lekë për këtë aferë”, tha Nebijaj.

Sipas PD-së, kjo shumë e madhe i jepet fituesit të paracaktuar, mikut të Edi Ramës, i cili ka bërë ofertën me 740 milionë lekë më të lartë se subjekti i skualifikuar.

“Qytetarët që po dhunohen çdo ditë për një kupton, që përfundojnë në burg e në errësirë nga OSHEE e bandat e tjera të qeverisë, po shohin se çfarë ndodh me paratë e tyre, me taksat e tyre. Ato trajtohen si plaçkë e ndahen sipas interesave të Edi Ramës, i cili vendos për çdo tender, duke përcaktuar në fillim fituesin”, tha zëdhënësja demokrate.

Në fund të deklaratës thuhet se PD angazhohet të vendosë para ligjit dhe përgjegjësisë abuzuesit dhe zhvatësit e parave publike.

Top Channel