Shpërndarja e refugjatëve, zhvendoset grupi i parë për në Suedi

09/10/2015 15:10

Rreth 20 eritreas kanë lënë Italinë për një jetë më të mirë në Suedi, të parët emigrantë që sistemohen në bazë të skemës së aq debatuar europiane të shpërndarjes. Grupi përbën vetëm një fraksion shumë të vogël të numrit të të ardhurve që do të dërgohen në pjesë të ndryshme të bllokut.

Plani i BE-së parashikon risistemin e 120.000 personave që do të dërgohen nga vendet e mbërritjes- Itali dhe Greqi, drejt shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Europian.

Përgjatë një ditë te vetme këtë javë në brigjet italiane zbarkuan nga Mesdheu 2.000 emigrantë të tjerë, çka tregon se vala e të mbërriturve nuk po bie aspak. Eritreasit e nisur në Suedi janë regjistruar, u janë marrë shenjat e gishtërinjve, janë identifikuar e kontrolluar imtësisht. Vendet e BE-së kanë rënë dakort ndër të tjera edhe me ngritjen e të ashtuquajturave “hot-spote” në Itali e Greqi- apo qendra të reja regjistrimi të emigranteve për të porsambërriturit, në mënyrë që këta të fundit të kalojnë të gjithë nëpër filtra verifikimi e pritoritet, do t`ju jepet refugjatëve që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Sipas komisionerit europian të emigracionit,  Dimitris Avramopoulos, hotspot-et e para në ishullin italian të Lampeduzës tashmë janë funksionale. Gjermania dhe Austria kanë rënë dakort sakaq të dërgojnë specialistë azili në dy anëtarët e bllokut të kthyera në portat hyrëse të emigrantëve në Europe. Avramopoulos sqaroi gjithashtu se 10 fluturime do të kryhen këtë muaj për të kthyer mbrapsht në vendet e origjinës azilkërkuesit e refuzuar në Europë, çka sipas tij është gjë e mirë, por e pamjaftueshme.

Top Channel