Dogana: Nuk ka rrjet kontrabande. Do të ndryshohet skanimi

09/10/2015 15:15

Pranvera Fagu e emërua në krye të Doganave kur ky institucion ishte në qendër të kritikave për rezultate të dobëta në mbledhjen e të ardhurave, të cilat e detyruan qeverinë të shkurtojë fort buxhetin. Por ajo mohon që mosrealizimet të jenë rezultat i kontrabandës masive.

“Nga homologët tanë dhe nga organizata të specializuara për luftën kundër trafikut të cigareve nuk kemi asnjë indikacion që këtu kryhet një kontrabandë e organizuar”, thotë Pranvera Fagu, Drejtore e Përgjithshme e Doganave.

Për kreun e Doganës, kjo konfirmohet edhe nga zhdoganimet e mallrave të akcizës, të cilat janë me rritje, përveç cigareve, që sipas saj kanë arsye objektive.

“Po të shohim analizën 9-mujore, të gjithë mallrat e akcizës kanë rritje, kjo do të thotë që gjejmë me rënie është cigarja dhe sigurisht diferenca është afro 220 tonë në raport me vitin që shkoi”, thotë Fagu.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se edhe pse taksat janë rritur, doganat në nëntë muajt e parë të vitit kanë mbledhur 3.8 miliardë lekë më pak se vjet.

“Bëhet një analizë jo vetëm për faktorët që ndikojnë në mosrealizimin e të ardhurave, por edhe në gjithë punën e administratës doganore. Sigurisht që ka vend edhe performanca doganore. Për minimizimin e këtij faktori, ne kemi marrë masat dhe kemi filluar trajnimin e planifikuar dhe të vazhdueshëm për të gjithë specialistët e administratës doganore me ekspertë vendas dhe të huaj”, shton Fagu.

Por veç treguesve të të ardhurave, së fundmi doganat janë vënë në qendër të vëmendjes edhe për një tjetër problem, që lidhet me koncesionin e shumëpërfolur të skanimit. Fagu thotë se kontrata problematike pritet të ndryshojë sërish për të lehtësuar disa kategori biznesesh të penalizuara fort.

“Ndryshimet ligjore janë paraqitur që tarfifa e skanimit të paguhet vetëm një herë. Kjo do të ndodhë për tranzitin e brendshëm, për mallrat që kalojnë nga një regjim doganor në një tjetër si edhe për përpunimin aktiv që është industria fasone”, shpjegon Fagu.

Sipas kontratës, për çdo deklaratë doganore, bizneset paguajnë 22 euro si tarifë skanimi, pavarësisht nëse malli hyn në skaner apo jo. Disa kategori biznesesh si fasonët dhe mallrat tranzitë, kanë qenë edhe më të penalizuar duke paguar dy herë. 

Top Channel