Eurobondi, qeveria në pritje të interesit të favorshëm të borxhit

09/10/2015 15:25

Shqipëria synon të sigurojë 300 deri në 500 milionë euro borxh në tregjet financiare të Europës përmes emëtimit të një eurobondi afati i të cilit mbetet ende për tu vendosur, por që me siguri do të jetë mbi 5 vjet.

Por autoritetet janë ende duke pritur një moment të përshtatshëm që do të siguronte marrjen e borxhit me kushtet më të favorshme.

Me gjasa, Shqipëria e humbi shansin e daljes në tregjet ndërkombëtare në gjysmën e parë të vitit, para se të shpërthente kriza greke. Në atë kohë situata e tregjeve financiare ishte shumë më e volitshme, aq sa Meksika arriti të sigurojë borxh me afat shlyerje 100-vjeçar, ndërsa qeveria polake mori hua me interesa negative.  

Por pas shpërthimit të krizës greke, tregjet ndërkombëtare të financave u trazuan dhe situata në to ka qenë më e luhatshme. Veç kësaj, së fundmi ka dhe dy faktorë të tjerë shtesë që kanë rritur nervozizmin në tregje, ngadalësimi i ekonomisë së Kinës dhe mundësia e ngritjes së normave të interesit nga rezerva federale në SHBA.

Për shkak të kësaj situate, pak ditë më parë gazeta prestigjoze “Financial Times” shkruante se vendet në zhvillim duhet të frenojnë entuziasmin për bondet. Sipas saj, koha e financimeve të lehta për vendet në zhvillim ka shteruar.

Norma mesatare e interesit për borxhin e vendeve në zhvillim u rrit nga 5.7 për qind në maj në gati 6.6 për qind aktualisht. Pak javë më para gana u detyra ta shtynte daljen në tregjet ndërkombëtare, Iraku ashtu si Shqipëria është në pritje ndërsa pakistani dhe kurdistani dështuan të  merrnin borxh. 

Dy vendet në zhvillim të radhës që kanë planifikuar të marrin borxh në tregjet ndërkombëtare janë shqipëria dhe etiopia. Por fajnenshell tajms shkruan se ka pak indicie të sugjerojnë se situata në tregje do të rezultojë më shumë mikpritëse.

Autoritetet thonë se Shqipëria nuk është në nevojë urgjente për financime pasi pak muaj më parë siguroi një kredi të butë 250 milionë euro nga banka botërore. Kjo i lejon atyre të presin deri në përmirësimin e tregjeve. Por një gjë është e sigurtë. Nëse do të kishte dalë pak muaj më parë në tregjet e huaja. me gjasa Shqipëria do të siguronte borxh më kushte dukshëm më të leverdishme se sa tani. Ndoshta një shans i humbur.

Top Channel