Gjeorgjianët zëvendësojnë “Crown Agents”

09/10/2015 15:35

Pas eksperiencës jo fort të kënaqshme me “Crown Agents”, Qeveria ka kërkuar konsulencën e një tjetër kompanie private për administratën fiskale, këtë herë nga Gjeorgjia.

“Reformatics”, një kompani e drejtuar nga ish-kryeministri gjeorgjian Nika Giluri, është ftuar personalisht nga kryeministri shqiptar Edi Rama të asistojë doganat dhe tatimet.

Lajmi nuk bëhet i ditur nga Qeveria, por nga një organizatë biznesi përkatësisht Dhoma Amerikane e Tregtisë. Në faqen zyrtare të Dhomës thuhet se përfaqësues të Dhomës Amerikane të drejtuar nga presidenti Mark Crowford u takuan me drejtuesit e kompanisë “Reformatics”, të cilët janë ftuar nga kryeministri Edi Rama për të asistuar tatimet dhe doganat.

Sipas njoftimit, gjatë takimit drejtuesit e kompanisë gjeorgjiane kanë marrë informacione mbi mënyrën sesi fuknsionon sistemi i doganave me qëllim që t’i mbajnë në konsideratë gjatë konsulencës që do japin për qeverinë shqiptare.  

Ende nuk dihet se cila do të jetë forma e bashkëpunimit apo kushtet e kontratës mes qeverisë dhe kompanisë gjeorgjiane. Burime konfidenciale i thanë Top Channel se kontrata me kompaninë gjeorgjiane nuk do të jetë si ajo me “Crown Agents”, e cila u instalua në Shqipëri për një periudhë dyvjeçare.

Sipas tyre, me shumë mundësi objekti kryesor i punës së kompanisë gjeorgjiane do të jetë të shqyrtojë mundësinë e bashkimit të administratave fiskale, pra tatimeve dhe doganave, në një institucion të vetëm sipas modelit amerikan.

Kjo është përpjekja e dytë ku Qeveria kërkon konsulencë për administratën fiskale duke kontraktuar kompani private nga jashtë. Sapo erdhi në pushtet ajo, solli në Tiranë “Crown Agents”, një kompani e mirënjohur britanike që u pagua rreth 8.5 milionë euro për të ndihmuar doganat shqiptare .

Por rezultatet sipas edhe vetë qeverisë ishin zhgënjyese. Ministria e Financave ka bërë zyrtarisht të ditur se për këtë shkak nuk do e rinovojë sërish kontratën dyvjeçare me këtë kompani, e cila skadon në mars të vitit tjetër.

Top Channel