I jepet lamtumira e fundit aktorit të TK-së, Marko Bitraku

09/10/2015 15:35

Në nderim të figurës së aktorit Marko Bitraku i cili u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare një ditë më parë, u mbajtën homazhe në Teatrin Kombëtar. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit që interpretoi role në teater e kinematografi, morën pjesë familjare, miq e kolegë.

“Marko ishte një aktor brilant i karaktereve, një aktor i shkëlqyer, një yll i bukur i kinemasë shqiptare, sepse në çdo film ai krijonte figura të pakrahasueshme me të tjerat”, u shpreh aktorja Zamira Kita.

“Ishte një aktor i natyrshëm, ishte një aktor që nuk mund të kalonte asnjë frazë, asnjë fjalë në një thjeshtësim”, kujton Klaudeta Riza, aktore.

“Ai ka punuar shumë për ta vënë talentin e vet me pasion dhe dashuri për jetën e qeshur dhe të bukur në dobi të njerëzve”, tha zv.kryeministri Niko Peleshi.

I lindur në 15 janar të 1951 në Lavdar të Oparit, të rrethit të Korçës, Marko Bitraku 23 vite më pas filloi punën si aktor profesionist në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, pasi përfundoi studimet në Akademinë e Lartë të Arteve.

Në kinematografi interpretoi në filma të njohur, mes të tjerësh “Gjeneral Gramafoni”, “Asgjë nuk harrohet”, apo “Mësonjtorja”, ku interpretoi komandantin e xhandarëve.

Në filmat pas viteve ’90: “Parrullat”, “I dashur armik”, “Mysafirët” e “Kronike Provinciale”, i cili është edhe filmi i tij i fundit.

Top Channel