Dhoma Amerikane e Tregtisë: Taksat po falimentojnë biznesin

09/10/2015 15:35

Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaron se Ligji për Procedurat Tatimore, i miratuar pak ditë më parë në Parlament, rrezikon të falimentojë biznesin.

Përmes një deklarate për mediat, bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë reagojnë fort ndaj masave penalizuese që parashikon ligji i ri kur thonë se gjobat dhe penalitetet janë disproporcion me nivelin e biznesit.

“Në të gjithë botën gjobat përcaktohen si një përqindje e caktuar mbi nivelin e xhiros apo totalit të taksave të paguara, që do të thotë se një biznes me xhiro vjetore 8 milion lekë nuk mund të gjobitet 10 milion lekë, sepse shkakton falimentin e menjëhershëm të biznesit. Bëhet fjalë për kategori biznesi të cilat nuk kanë edukimin e mirëfilltë fiskal, nuk kanë mundësinë financiare të kenë ekspertizë në dispozicion, dhe ndryshimet e bëra në Ligjin për Procedurat Tatimore janë zbatuar pa ju lënë kohën e nevojshme që t’i njohin dhe t’i zbatojnë”, vlerëson Dhoma.

Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë gjithashtu se ligji nuk parashikon masa drastike për punonjësit  tatimore të cilëve u është lënë liri dhe autoritet i pakufishëm në interpretimin dhe zbatimin e këtyre masave duke rritur ndjeshëm rrezikun e abuzivitetit dhe të korrupsionit. Sipas Dhomës, ky plan masash në vend që të nxisë formalizimin e ekonomisë do të kthehet në “shkop ndëshkues” për biznesin duke ndërprerë aktivitetin tregtar për bizneset që kanë paqartësi dhe probleme të riparueshme, por dhe iniciativave të reja të cilat nuk munden të lulëzojnë në një klimë të tillë. 

“Masat penalizuese në ligj nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre”, thuhet në arsyetimin e kësaj Dhome.

Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se ligji nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe kërkon që Qeveria të rishohë format me të cilat po zhvillon luftën anti-informalitet.

Top Channel