Ekstremizmi i dhunshëm, duhet komunikim mes institucioneve

09/10/2015 00:00

Ekspertët e sigurisë në Kosovë kanë vlerësuar se, për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm është i nevojshëm bashkëpunimi mes qeverisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe mediave, pasi – sipas tyre, – nuk ka komunikim të mirëfilltë mes këtyre institucioneve.

Këto vlerësime janë bërë nga Qendra Kosovare për Studime mbi Sigurinë, në kuadër të projektit me titull “Rrëfimi i dy qyteteve – ekstremizmi i dhunshëm dhe kundërpërgjigjja”.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime mbi Sigurinë, Florent Qehaja vlerësoi ekstremizmin e dhunshëm si një nga 3 problemet kryesore të sigurisë në vend. Ai tha se ka nevojë për partneritet për parandalimin e këtij fenomeni, duke theksuar se roli i medias në këtë rast është thelbësor.

“Ne mendojmë se roli i mediave është thelbësor në drejtim të parandalimit të ekstremizmit. Po them parandalimit, sepse në deradikalizimin e  grupeve, të cilat sapo janë radikalizuar, kërkohet një punë tjetër, kryesisht angazhimi i përfaqësuesit më të lartë të besimit fetar, i cili mendojmë se është gjithashtu thelbësor. Informimi i drejtë dhe bashkëpunimi mes nesh, si organizata të shoqërisë civile dhe mediave, BIK-ut, por edhe qeverisë është mëse thelbësor në këto përpjekje”, tha Florent Qehaja, drejtor i QKSS.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame në Kosovë, Ahmet Sadriu tha se në shumicën e rasteve, mediat ndërlidhin fenë islame me ekstremizmin.

“E ndiej veten shumë komod dhe shumë të rehatuar në një aspekt. Kur është nxjerrë konstatimi se, burimi i ekstremizmit, që sot po trajtohet si problem, nuk është Islami. Edhe pse në një tjetër aspekt ka pasur tendenca të tilla. Më vjen mirë gjithashtu që mediet janë të pranishme, sepse edhe më herët e kemi thënë dhe po e themi publikisht, kemi vërejtje nga mediet në aspektin e trajtimit të këtij fenomeni. Së pari, vërejtja jonë ka qenë se Islami duhet të njihet si fe njëherë, e pastaj t’i jepet një epitet i tillë. Një mungesë e informacioneve të tilla ka munguar te ne”, tha Ahmet Sadriu, zëdhënës i BIK-ut.

Përfaqësues të medieve vunë theksin te fakti se, mediet e kanë për detyrë të hulumtojnë lidhur me parandalimin e rrymave ekstreme në shoqëri.

Duke marrë parasysh rolin thelbësor, që mediet kanë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ekspertët e sigurisë apeluan për kujdes në publikimin e informacioneve të paverifikuara lidhur me këtë çështje.

Top Channel