Tifozët shqiptarë të Maqedonisë, gjithnjë në mbështetje të kombëtares kuqezi

09/10/2015 00:00

Qytetaria që treguan shqiptarët në tribunat e stadiumit “Elbasan Arena”, duket se ka zbutur sadopak dëshpërimin e tifozëve për humbjen, që pësoi Shqipëria në përballjen me Serbinë.

Rezultati në fushë la pa fjalë mijëra mbështetës të kombëtares në Maqedoni, që ishin organizuar në vende të ndryshme për ta ndjekur ndeshjen. Ata pak tifozë, që pranuan të komentojnë rezultatin menjëherë pas përfundimit, dukshëm të dëshpëruar, vlerësuan vetëm kulturën sportive që treguan shqiptarët në tribuna.

“Nëse kemi menduar për ndonjë humbje para kësaj ndeshjeje, kemi menduar se atë mund të na e sillnin ata që quhen ‘lojtari i 12’. Por fatmirësisht ata ishin dinjitozë, europianë, ndërsa fusha foli ndryshe. Më vjen shumë keq”, tha Anita Latifi, qytetare.

Komentet rreth sfidës mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë vijuar të premten, duke e shndërruar atë në temën kryesore nëpër rrjetet sociale dhe nëpër lokalet e Shkupit. Një ditë pas disfatës, mbështetësit e kombëtares kanë filluar të mendojnë edhe për ndeshjen e ardhshme, por edhe për kualifikimin e drejtpërdrejtë në “Euro 2016”, që mund t’i sjellë Shqipërisë fitorja kundër Armenisë.

“Disfata nuk është katastrofë e madhe, sepse Shqipëria ngelet ende në pozitat, që të mund të kualifikohet, por e mira në gjithë këtë të keqe është se ne treguam që jemi mikpritës. Të gjithë ata, që prisnin të ketë ndonjë incident apo hakmarrje të asaj që ndodhi në Beograd, nuk e realizuan ëndrrën e tyre të mbrapshtë dhe mendoj se në këtë aspekt fituam ne”, tha Enver Miftari, qytetar.

Mbështetja për kombëtaren nga shqiptarët e Maqedonisë nuk do të mungojë as më 11 tetor. Për shkak të rëndësisë që ka ndeshja kundër Armenisë, të dielën pritet të ketë përsëri organizime të shumta në Shkup dhe qytete të tjera, për të ndjekur përballjen që mund ta çojë Shqipërinë në “Euro 2016”.

Top Channel