Policia i bastis zyrat, VV: Akt i paprecedent i pushtetit autoritar në Kuvend

09/10/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate të orëve të pasdites së të premtes, ka reaguar për atë që e ka cilësuar si një akt i paprecedent i ushtrimit të pushtetit autoritar të qeverisë Mustafa.

Bëhet fjalë për bastisjen e zyrave të deputetëve dhe grupit parlamentar të VV-së në Kuvendin e Kosovës nga forcat e Policisë, të cilat – sipas subjektit opozitar, – duhet të sigurojnë paprekshmërinë e organit përfaqësues të sovranit.

“Sot rreth orës 18:00, pa praninë e deputetëve dhe pas orarit të punës, në zyrat e Kuvendit të Kosovës ka ndodhur një akt i paprecedent i ushtrimit të pushtetit autoritar. Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të grupit parlamentar të subjektit më të madh opozitar në vend, Lëvizjes Vetëvendosje! Policia ka filluar të ushtrojë gjithashtu presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar për t’i marrë në pyetje deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, në lidhje me aksionet e opozitës në Kuvend”, bën të ditur VV.

Ky presion – sipas këtij subjekti – ndodh pikërisht pas dorëzimit të padisë për Armend Zemajn, i cili ka shprehur publikisht qëllimin e tij për të goditur me gotë të qelqtë deputetët e Vetëvendosjes dhe për t’i dëmtuar fizikisht ata, ndërkohë që Policia nuk mori asnjë veprim ndaj tij.

“Këto zhvillime të papranueshme vijnë menjëherë pas takimit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, me ambasadorët e vendeve të Kuintit. Siç duket, Kadri Veseli po e përdor takimin me këta ambasadorë për të legjitimuar shtimin e represionit dhe dhunimin e opozitës”, thotë më tej Vetevendosje.

Ndërkohë, zëdhënësi i policisë, Baki Kelani ka konfirmuar se njësitë policore, me urdhër të prokurorit përgjegjës, kanë realizuar një kontroll në zyrat e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, që gjenden në Kuvendin e Kosovës, por nuk ka dhënë detaje mbi këtë aksion.

Top Channel