Rusia vijon sulmet në Siri: U goditën 60 objektiva të ISIS, 300 militantë të vrarë

09/10/2015 00:00

Forcat ajrore të Rusisë kanë bombarduar 60 objektiva të Shtetit Islamik në Siri përgjatë 24 orëve të fundit, si dhe kanë vrarë rreth 300 militantë xhihadistë, në atë që Ministria ruse e Mbrojtjes e quajti këtë të premte si ofensivën më intensive që prej nisjes së fushatës së saj në Siri, 10 ditë më parë.

“Militantët po pësojnë humbje të konsiderueshme nga sulmet tona dhe në këto kushte, forcat ajrore ruse do të vazhdojnë të intensifikojnë bombardimet nga lartë”, deklaroi gjenerali Igor Makushev.

Gjatë njoftimeve të ditëve të kaluara, Moska kishte raportuar goditjen e rreth 10 objektivave në mënyrë të përditshme, ndaj dhe rritja e intensitetit të sulmeve ajrore raportohet të ketë për qëllim parandalimin e rigrupimit të militantëve apo shpërndarjen e tyre në zonat e populluara nga civilë, shton më tej ministria në fjalë.

Sipas deklaratës së Ministrisë ruse të Mbrojtjes, avionët e forcave ajrore përdorën predha të precizionit të lartë “KAB-500” për të shkatërruar selinë e grupit të militantëve “Liwa al-Haqq”, në provincën siriane të Raqqasë. Duke cituar komunikime të përgjuara radiofonike, ministria shtoi se nga sulmi kanë mbetur të vrarë dy komandantë të lartë të Shtetit Islamik, si dhe rreth 200 militantë.

“Liwa al-Haqq” nuk ka lidhje me Shtetin Islamik, ndaj dhe është ende e paqartë se çfarë ishin duke bërë dy komandantë të lartë forcash tokësore të ISIS-it në bazën e atij grupi. Megjithatë, veç saj, janë shkatërruar edhe një bazë e Shtetit Islamik dhe një depo municionesh, që ishte ngritur në një ish-burg pranë Aleppos, duke vrarë edhe 100 militantë të tjerë.

Top Channel