Basha: Vendi drejt mjerimit, përgjegjësi bëhet komentator sportiv

09/10/2015 00:00

Pas konferencës për shtyp të mbajtur nga kryeministri Rama, që u përqendrua kryesisht te zhvillimi i ndeshjes së një dite më parë në Elbasan, mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke folur qoftë për rezultatin e takimit edhe për rezultatet e arritura nga organizimi perfekt i kësaj ndeshjeje, në orët e pasdites ka reaguar përmes rrjetit social Facebook, kreu i PD-së Lulzim Basha.

Në qendër të komentit të udhëheqësit të opozitës shqiptare ka qenë sërish afera e CEZ-it, por edhe caktimet paraprake të fituesve të tenderave, për të cilat Basha bën përgjegjës kryeministrin e vendit. Ndërkohë, nuk lë pa sulmuar as ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin thotë se ka hapur “mësimore droge”.

“Shqipëria digjet nga varfëria, korrupsioni dhe krimi, ndërsa kryepërgjegjësi na krihet ekraneve si komentator i rubrikës sportive. Vendi është përmbytur nga korrupsioni, që ka shpërthyer në çdo anë. Shqiptarëve u janë marrë nga afera e tij me CEZ-in 600 milionë euro. Kryepërgjegjësi përcakton klientët dhe ndërtuesit e tij, si fitues të çdo tenderi, që para se të bëhet tenderi. Ministri i tij ka hapur mësimore droge. Pasi e ndriti me papunësinë, taksat, çmimet dhe shëndetësinë, tani na bën edhe leksione futbolli e tifozerie. Këndon gjeli majë plehut”, ka mbyllur reagimin e tij Lulzim Basha.

Top Channel