Numri i emigrantëve që mbërrijnë në ishujt grekë në afërsi të Turqisë është rritur në rreth 7 mijë në ditë në javët e fundit.

Lajmin e kanë bërë të ditur ekspertët e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, të cilët ndodhen në ishujt në fjalë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve.

Ekspertët kanë deklaruar se, mesatarja e të ardhurve deri nga fundi i shtatorit ishte 4.500 persona në ditë dhe duke parë rritjen ka gjasa që tendenca të rritet.

ONE ka bërë gjithashtu të ditur se pavarësisht rritjes, menaxhimi i fluksit në ishullin e Lesbos është lehtësuar ndjeshëm.

Përmirësimi i situatës vjen sipas tyre nga fakti se 70 për qind e emigrantëve që mbërritën në Greqi javën e kaluar kaluan pa vonesa në Maqedoninë fqinje.

“Sirianët tani po udhëtojnë më shpejt nga ishujt drejt kufirit, pasi ndryshe nuk e përballojnë dot. Ata blejnë bileta për varkat deri në Athinë, për autobusë që të çojnë drejt në kufi. Ndonjëherë ata paguajnë edhe taksi, tarifa e të cilave shkon deri në 700 euro për familje”, thuhet në një deklaratë të ONE-së.

Nga ana tjetër, vë në dukje organizata, afganëve u duhet të punojnë për të siguruar paratë për të blerë një biletë.

Këtë të premte nisi ndërkohë zbatimi i strategjisë së BE-së për zhvendosjen e emigrantëve, me rreth 20 prej tyre nga Eritrea që u lëvizën nga Italia drejt Suedisë. Por disa vende anëtare të BE-së e kanë kundërshtuar skemën në fjalë.

Top Channel