Kontrolli i armëve, Obama mendon sërish “urdhrin ekzekutiv”

09/10/2015 00:00

Ndërkohë që Presidenti Obama nisej drejt Roseburgut, në Oregon, për të zhvilluar vizita me dyer të mbyllura te familjarët e viktimave të të shtënave të javës së kaluar në kolegjin komunitar të Umpquas, Shtëpia e Bardhë është duke marrë në konsideratë për të disatën herë një çështje tepër të debatuar politikisht, atë të kontrollit të armëve.

Administrata “Obama” do të rikonsiderojë propozimin për një kontroll masiv të armëve, që do të krijonte një udhërrëfyes të ri se, cili do të konsiderohej ligjërisht një tregtar i licencuar armësh, e gjithashtu do të kërkoheshin kërkime më të imtësishme ndaj blerësve potencialë. Lajmi bëhet i ditur nga “NBC News”.

Propozimi do ta përkufizonte cilindo që do të shiste mbi sasinë e caktuar të armëve në vit “si pjesëtar të biznesit” të shitjes së armëve, ndaj dhe do të bëhej automatikisht subjekt i kontrolleve dhe i ligjeve të tregtarëve të armëve.

Sipas burimeve, administrata ka marrë në konsideratë sasinë prej 50-100 armë në vit si pragu që do të vendoste detyrimisht këto kërkesa, edhe pse zyrtarisht nuk kanë vendosur një numër të tillë.

“Kjo është një politikë tejet e komplikuar”, tha një zyrtar i administratës, i cili ka njohuri mbi këtë çështje. Duke parë vrasjet e Oregonit, ku mbetën 9 të vdekur dhe 9 të tjerë të plagosur, Presidenti u zotua që stafi i tij të “gërmojë” në të gjitha ligjet ekzistuese të armëve në kërkim të rrugëve për të nxitur shtyrjen më tej të reformës. Presidenti shpesh herë e ka shprehur irritimin e tij, që opozita politike nuk ndan të njëjtin qëndrim mbi dispozitat e kontrollit të armëve.

Zyrtarë të administratës e kanë konsideruar këtë urdhër ekzekutiv edhe në 2013-n, pasi një projektligj që kërkonte shtimin e kontrolleve mbi “background”-in e shitësve dështoi të kalonte në Senat. Gjithsesi ata vendosën ta linin mënjanë këtë çështje, për shkak se e dinin kompleksitetin që e shoqëronte atë, por edhe prej vendimeve të gjykatave që e argumentonin si të paligjshëm urdhrin ekzekutiv.

Megjithatë, ata janë duke e rikonsideruar këtë gjë, duke lëshuar një urdhër si pjesë e një rishikimi më të thellë të politikës së armëve, pas vrasjeve masive të Oregonit.

Top Channel