Britania bën thirrje për rikthimin e stërvitjeve të stilit të “Luftës së Ftohtë”

09/10/2015 00:00

NATO duhet të ashpërsojë qëndrimin e saj kundrejt Moskës, pasi dënoi “përshkallëzimin shqetësues” të fushatës ajrore ruse në Siri, inkursioneve provokuese të saj në hapësirën ajrore turke dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj shteteve të Baltikut, deklaruar ministrat e Mbrojtjes gjatë natës së të enjtes.

Ndërkohë, duke shpallur planet për dyfishim të “Forcës së Reagimit të Shpejtë” të NATO-s me 40 mijë trupa pas takimit në Bruksel, Britania bëri thirrje për rikthimin e stërvitjeve ushtarake të stilit të periudhës së Luftës së Ftohtë, në mënyrë që të testohet gatishmëria e NATO-s dhe të ndryshojë shkallëzimin, nga konvencionale në luftë bërthamore.

Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i aleancës atlantiko-veriore, tha se organizata ushtarake synon t’i “dërgojë një mesazh të qartë” Rusisë se, aleanca më e fuqishme ushtarake e botës është e gatshme të veprojë në mbrojtje të qytetarëve të saj.

“NATO do t’iu mbrojë. NATO është në terren dhe është e gatshme”, tha ai.

Ministrat e aleancës shtuan gjithashtu se ishin të gatshëm të dërgonin forca të reagimit të shpejtë edhe në jug, “përfshi këtu Turqinë”, të cilën Rusia e provokoi dy herë gjatë kësaj jave duke shkelur hapësirën ajrore. “NATO është e aftë dhe e gatshme të mbrojë të gjithë aleatët e saj, përfshi Turqinë, kundër çdo lloj kërcënimi”, tha Stoltenberg.

Këto garanci janë dhënë për shkak të shqetësimeve gjithnjë e në rritje për një përplasje “aksidentale” në Siri, pasi SHBA-të thanë se Rusia kishte lëshuar një breshëri raketash drejt Sirisë nga anijet e vendosura në bazën e detit Kaspik, pa paralajmëruar koalicionin e udhëhequr prej amerikanëve në Siri dhe Irak.

Ashton Carter, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, dënoi sjelljen e pamatur të Rusisë, si dhe paralajmëroi se Moska mund të fillojë së shpejti të mbrojë viktimat që po shkakton, teksa mbështeti ofensivën e radhës në terren në Siri, në mbështetje të forcave të regjimit të Presidentit Bashar al-Assad.

Ndërkaq, ish-kreu i shërbimeve sekrete britanike MI6, John Sawers, tha se tashmë ekziston “një rrezik real” i përplasjes së dy ushtrive, nëse drejtuesit e tyre nuk do të nisin të koordinojnë veprimet e tyre. “Nuk mund të kesh dy forca ajrore të ndryshme, në fushata të ndryshme, me objektiva të ndryshme, të cilat të veprojnë në të njëjtin territor, pa pasur ndonjë rrezik real për përplasje mes tyre”, tha ai për BBC.

Si pjesë e vendosmërisë ndaj Moskës, Michael Fallon, Sekretari britanik i Mbrojtjes, shpalli vendimin se Britania e Madhe do të dërgojë rreth 100 trupa shtesë në Estoni, Letoni dhe Lituani, ndërkohë që do të dërgonte edhe 25 ushtarë me mision trajnues në Ukrainë.

Top Channel