Kore e Veriut, paradë madhështore për 70-vjetorin e Partisë së Punës

10/10/2015 00:00

Në Korenë e Veriut po zhvillohet këtë të shtunë një nga festimet më të mëdha të bëra ndonjëherë, për 70-vjetorin e Partisë së Punës që udhëheq vendin.

Një paradë e autoblindave ushtarake dhe raketave balistike ka nisur herët në mëngjes, me orën lokale, e shoqëruar me parakalimin e trupave ushtarake.

Lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong un ka drejtuar ceremoninë me një fjalim, por asnjë lider i huaj nuk ka marrë pjesë në të.

“Armët revolucionare të partisë tonë tregojnë se jemi gati të përballemi me çdo lloj lufte që mund të vijë nga imperialistët amerikanë”, ka thënë Kim, i cili e nisi ditën duke bërë homazhe në nder të babait të tij Kim Jong il dhe gjyshit në Pallatin e Diellit.

Tanke kanë parakaluar në sheshin e Penianit pas fjalimit të liderit, ndërsa në ajër ka fluturuar një skuadrilje avionësh.

Korrespondentë të mediave ndërkombëtare raportojnë se përmes eventeve në fjalë vendi komunist synon të japë mesazhin e qartë se, këtu ka një forcë ushtarake solide.

Kur njoftoi planet për përvjetorin më herët gjatë vitit, qeveria e Penianit foli për armatura të sofistikuara, të përshtatshme për luftërat moderne.

Top Channel