Basha me fermerët: Për ju, taksë e sheshtë 9 për qind

10/10/2015 10:55

Për Lulzim Bashën, rritja e taksave ka goditur prodhimin dhe ekonomitë familjare. Ndaj sipas tij, e vetmja rrugë për të nxjerrë ekonominë nga kriza,  është rikthimi i taksave të ulëta, që lënë më shumë para në xhepat e qytetarëve.

“Jemi dukë bërë platformën dhe në platformën e taksave, në përgjithësi po ju them, taksa e sheshtë do te jetë  9 përqind. Çfarë do të thotë taksë e sheshtë 9 përqind?! Do të thotë se 450 milionë euro, që sot qeveria i takson dhe i fut nuk e dimë se ku, ato para t’ja kthejmë tregu”, është shprehur Basha.

Platforma e taksave është pjesë e një programi të ri qeverisës që po hartohet nga ekspertët e Partisë Demokratike. Por lideri i opozitës thotë se hartuesit kryesor të tij do të jenë vetë qytetarët. Nga Lushnja ku u takua me fermerët e zonës, ai njoftoi nisjen e një turi takimesh nëpër gjithë Shqipërinë, për të marrë sugjerimet e tyre.

“Të ulen plehrat, të ulet nafta  dhe energjia elektrike të vejë atje ku qe, këtë duam ne. Kosovarët thonë unë nuk vij sepse 10 dollarë më bën rruga, nafta 1400 lekë atje, 2000 këtu dhe me detyrojne ta marr këtu.  S’vjen kosovari këtu.  Ikën tutje, vete në Maqedoni, në Maqedoni ka ikur, magazinën e ka lënë bosh atje ka tre muaj”, thotë një fermer.

“Që të ketë frikë tregtari kosovar me ardhë me marrë mallin këtu, kjo është vdekjeprurëse për ju.Për mua më e rëndësishme se sa ardhja në karrigen e pushetit duke bërë pazar është mbështetja juaj për t’u zgjidh problemet. Në qoftëse ju thoni se problem kryesor është çmimi i inputeve, është çmimi i naftës, çmimi i energjisë, çmimi i plehrave, çmimi i plasmasit, është padrejtësia me taksat që ju kanë vënë, atëherë të jeni të sigurt se këtu do të jetë vëmendja jonë kryesore”, tha Basha.

Top Channel