Ljajic, apel Mancinit: Dua më shumë hapësira në ekip

10/10/2015 00:00

Adem Ljajic me golin e shënuar ndaj Kombëtares shqiptare në sfidën e eliminatoreve të Euro 2016 me përfaqësuesen serbe i dha një mesazh trajnerit të Interit, Roberto Mancini, i cili nuk e ka aktivizuar në ndeshjet e kampionatit italian.

Nëpërmjet një intervistë të dhënë për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’, futbollisti i skuadrës zikaltër ka kërkuar më shumë hapësira.

“Jam shumë mirë fizikisht, shpresoj që te Interi ta kenë parë sfidën e eliminatoreve dhe atë çfarë unë bëra në fushën e lojës. Mund të them se jam i kënaqur me paraqitjen time në atë takim, por më shumë me atë të të gjithë skuadrës. Në kombëtare unë luaj pas sulmuesve, ndërsa te Interi janë disa futbollistë që luajnë në atë rol. Shpresoj që të më krijohen hapësirat, pasi pikërisht në këtë pozicion unë jap më të mirën time”, ka thënë Ljajic.

Interi do të ketë ndeshjen e radhës me Juventusin, por Ljajic nuk e tremb aspak fakti që skuadra e tij do të ketë përballë kampionët e Italisë, madje ai dëshiron të jetë titullar në atë ndeshje.

“Do të më pëlqente të luaja në formacion në sfidën me Juventusin, edhe pse ajo që ka rëndësi në fund është fitorja e Interit. Ajo që shpresoj është që Interi të ketë gjithnjë rezultate pozitive”, ka thënë ai.

Top Channel