“Të lindur dy herë”, libër për reflektimin e shoqërisë

10/10/2015 00:00

Giuseppe Pontiggia vjen në shqip me “Të lindur dy herë”, një libër për njerëzit me aftësi të kufizuara në përkthimin e Agim Doksani.

“Autori përshkruan jo vetëm dramën dhe kalvarin e jetës me persona me aftësi të kufizuar, në rastin konkret djali i personazhit që rrëfen, por edhe dramën e vetë prindërve dhe gjithë etapat e caktuara që ky fëmi kalon në jetë, dhe heq vuajtje të caktuara për të pasur një jetë sa më ‘normale’, po në fakt për të qënë vetvetja”, rrëfen Doksani.

Libri sjell pengesat e shumta që prindërit hasin në menaxhimin e situatave dhe vështirësitë për t’i siguruar fëmijët e tyre me aftësi të kufizuar një jetë sa më të qetë.

Ndërsa ngjarjet e librit frymëzuan edhe regjisorin Gianni Amelio për ta ekranizuar historinë prekëse. Nërpërmjet shtjellimit të ngjarjeve vjen lehtë për lexuesin jeta e një djali, pa keqardhjen që shoqëron rrëfimet e kësaj natyre librash, por vjen përditshmëria e tij, bota shpirtërore dhe gjërat e bukura që këta njerëz me aftësi të kufizuar arrijnë t’i dhurojnë shoqërisë.
 
“Këto persona, gjëja më e madhe që mund t’u bëhet, është të trajtohen si njerëz të zakonshëm, njerëz të thjeshtë të jetës së përditshme, pa i vënë në dukje atë aftësi të kufizuar që ata mund të kenë për të qënë pjesë integrale e shoqërisë ku ata jetojnë”, thotë Doksani.

‘I lindur dy herë” është titulli i zgjedhur nga autori italian, për të dhënë njëherësh dy kuptime.

“Është dhe një titull kuptimplotë ky, sepse rilind jo vetëm fëmija por dhe prindi në këtë rast”, thotë ai.

Top Channel