Porti i ri i Vlorës, gati për sezonin e ardhshëm veror

10/10/2015 14:00

Sipas Drejtorit të Portit të Vlorës, Edmond Leka, punimet në portin e këtij qyteti po ecin me ritme të shpejta. Leka është shprehur se shpreson se me këto ritme, sezoni i ardhshëm turistik do ta gjejë Vlorën me një port të ri.

Sipas Drejtorit të Portit, janë rreth 15 milionë euro, të cilat do të shpenzohen për rregullimin e kalatave në portin e Vlorës dhe thellimin e gjirit brenda portit, çka do të shërbejë edhe për ankorimin jo vetëm të trageteve por edhe të krocierave.

Në deklaratën e bërë prej tij, Leka tha se në portin e Vlorës do të jenë në linjë 4 tragete, të cilët do të operojnë çdo ditë, si dhe do t’u jepet mundësi ankorimit të krocerave të mëdha. Në fjalën e tij ai u shpreh se ka patur mjaft kërkesa për ankorimin e krocierave, por kushtet e portit të Vlorës nuk kanë bërë të mundur hyrjen e tyre.

Punimet kanë nisur në muajin Qershor dhe priten që të mbyllen në sezonin e ardhshëm, ndërsa pritet të ketë edhe një fazë të dytë për terminalin e portit, që pritet të fillojë me një vlerë prej 15 milionë eurosh të tjera; çka do t’i japë Vlorës një port të ri me kapacitete shumë herë më të mëdha dhe një teknologji shumë herë më të avancuar.

Po ashtu ndërtimi i portit të ri të Vlorës do të jetë dhe një risi për pushuesit, pasi ky port do të lidhet me shëtitoren. Në diskutime e sipër flitet edhe për një port jahtesh ngjitur me portin detar, një tjetër zhvillim për turizmin e Vlorës. Sipas Lekës, porti i ri pritet të sjellë edhe turistë të shumtë, duke i shtuar vlerat ekonomisë dhe turizmit.

Top Channel