F1 në Rusi, Mercedes dominon provat zyrtare

10/10/2015 15:20

Mercedes dominon edhe në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Rusisë. Në pistën e Sochit ishte Niko Rosberg ai që imponoi ritmin e tij kundrejt rivalëve duke e përshkuar atë me kohën 1 minutë 37 sekonda e 113 të mijtat. 

Britaniku Lewis Hamilton e pati të pamundur për t’i kundërpërgjigjur shokut të tij të skuadrës dhe u detyrua të kënaqej me vendin e dytë në këto kualifikuese me  320 të mijtat më shumë se Rosberg.

Williams i gëzohet përgjysmë kësaj dite kjo për faktin se në minisesionin e fundit të provave u kualifikua vetëm Botas me finlandezin që regjistroi kohën e tretë më të mirë, ndërsa braziliani Felipe Massa u eliminua në minisesionin e dytë të tyre dhe garën do ta nisë nga vendi i 15.

Ferrari edhe këtë radhe ishte larg Mercedes. Sebastian Vettel u rendit në vendin e katërt, por koha e shënuar prej tij ishte 852 të mijtat më e lartë se ajo e Rosberg, ndërsa Raikkonen u rendit në vendin e pestë me një kohë që e kishte kaluar rendin e 1 minutë e 38 sekondave.
 
Red Bull pati si përfaqësuesin e vetëm të saj fazën finale të provave zyrtare, Daniel Riçiardon të renditur në vendin e 10, ndërsa Kvijat që garontë në pistën e shtëpisë së tij nuk shkoi më shumë se vendi i 11.

Mungesa e vetme në kualifikueset e Cmimit të Madh të Rusisë ishte ajo e Karlos Sainz i cili u bë protagonisti i një aksidenti gjatë provave të treta të lira teksa u përplas me muret mbrojtëse. Piloti i Toro Rossos u dërgua në spital me helikopter për ekzaminime të detajuara mjekësore nga ku rezultoi se ky aksident nuk pati pasoja për të.

Top Channel