Platini apelon vendimin e pezullimit

10/10/2015 16:30

Michel Platini apeloi në Gjykatën e Arbitrazhit vendimin që e pezullon atë nga detyra si z.President i FIFA-s për 90 ditë, ndërsa hetimet për korrupsion edhe ndaj tij vazhdojnë.

60-vjeçari francez ishte pjesë e tre emrave të pezulluar, së bashku me Presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter dhe sekretari e Përgjithshëm Jerome Valcke. Që të tre këta persona dyshohen për korrupsion, akuzë që ata e mohojnë.

Platini, që mban edhe postin e zëvendëspresidentit të FIFA-s, është njëri prej kandidatëve favoritë për të pasuar Sepp Blatter në krye të FIFA-s.

Federata Franceze e Futbollit kërkon ndërhyrjen e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për të hequr çdo barrierë të mundshme që mund të dalë përpara në rrugën e Platini drejt kreut të FIFA-s.

Komiteti i Etikës së FIFA-s nisi hetimet pas hetimit penal të nisur nga Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës ndaj Sepp Blatter-it në muajin shtator.

Mes dosjeve voluminoze kundër Sepp Blatter-it është edhe njëra që e akuzon atë për nënshkrimin e një kontrate për të drejtat televizive në dëm të FIFA-s dhe kryerjen e një pagesë të dyshimtë ndaj Michel Platini.

Bëhet fjalë për 2 milionë euro të transferuara në llogaritë e Platini nëntë vjet pasi ky i fundit kishte nisur punën si këshilltar i Blatter-it.

Blatter njoftoi pak pas rizgjedhjes tërheqjen përfundimtare nga posti i kreut të FIFA-s. Kjo tërheqje do të ndodhë në shkurtin e vitit të ardhshëm, kur edhe janë caktuar zgjedhjet e parakohshme. Për të diskutuar këto zgjedhje, më 20 tetor, FIFA do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme.

Top Channel