Miqësorja, Kosova fiton 2-0 ndaj Guinesë Ekuatoriale

10/10/2015 17:30

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka mboshtur me rezultatin 2 me 0 Guinenë Ekuatoriale, në ndeshjen miqësore, e cila u zhvillua të shtunën në stadiumin e Prishtinës.

Mërgim Brahimi është futbollisti kosovar i cili shënoi gol që në minutën e dytë të lojës, duke bërë kështu që pjesa e parë të përfundojë në favor të Kosovës me rezultat 1 me 0.

Edhe minuta e dytë e pjesës së dytë solli golin tjetër për Kosovën, nga po i njejti futbollist, duke thelluar epërsinë në 2 me 0.

Përfaqësuesja e Kosovës luajti me formacionin Samir Ujkani, Fanol Perdedaj, Ilir Berisha, Sadiku, Paqarada, Mërgim Brahimi, Besar Halimi, Bernard Berisha, Shpëtim Hasani, Valmir Sylejmani dhe Erton Fejzullahu. Ndërsa arbitër i ndeshjes ishte Enea Jorgji nga Shqipëria.

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, para ndeshjes e ka vlerësuar këtë takim si sfidë tërheqëse për futbollistët kosovarë.

Kjo është fitorja e dytë e Kosovës, pas asaj në ndeshjen kundër Omanit, ndërsa ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare Kosova e zhvilloi në mars të vitit të kaluar kundër Haitit, ku nuk ishte lejuar flamuri dhe himni i Kosovës.

Futbollistët kosovarë, para ndeshjes i ka uruar zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social facebook.

“I uroj sukses skuadrës përfaqësuese të Kosovës. Bashkë me këtë urim shpreh edhe besimin e plotë që së shpejti do të anëtarësohemi në FIFA dhe UEFA dhe do të shohim djemtë tanë që të mbrojnë ngjyrat e flamurit të Kosovës në garat dhe fushat më prestigjioze futbollistike botërore”, ka shkruar ndër të tjera Hashim Thaçi në Facebook.

Top Channel