Arben Ndoka ende deputet, nuk ka firmosur lënien e mandatit

10/10/2015 19:45

Ligjvënësi socialist i Qarkut të Lezhës, Arben Ndoka në mënyrë të papritur mesditën e 7 shtatorit nëpërmjet një letre dërguar kolegëve të Grupit Parlamentar Socialist i njoftonte se ai në mënyrë vullnetare linte mandatin e deputetit.

Ka kaluar më shumë se 1 muaj dhe vëndi i lënë vakant nga Ndoka nuk është zëvendësuar. Çfarë ka ndodhur?

Një burim nga PS i pohoi Top Channel se që prej datës 7 shtator dokumenti që kjo forcë politike duhet t’i paraqesë KQZ-së nuk e ka marrë firmën e Ndokës.

Nuk dihen arsyet e mosfirmosjes së këtij dokumenti që do t’i hapte rrugë zëvendësimit të Arben Ndokës, i cili pas marrjes së mandatit u kthye në kalin e betejës së opozitës në emër të dekriminalizimit.

Top Channel e kontaktoi zotin Ndoka, por ai nuk dha ndonjë koment përse deri më tani nuk e ka firmosur dokumentin e lënies së mandatit.

Edhe drejtues të Grupit Parlamentar socialist nuk ishin të gatshëm të jepnin detaje për këtë çështje. Jozyrtarisht mësohet se pas dërgimit të letrës, zoti Ndoka për arsye personale ndodhet jashtë Shqipërisë.

Çështja „Ndoka“ e vendos PS në një situatë të paprecedentë për parlamentarizmin shqiptar, kur një deputet deklarohet për lënien e mandatit por nuk i jep formën zyrtare që është nënshkrimi i dokumentit zyrtar.
4 ditë nga deklarimi për lënien e mandatit, Ndoka do të përballej me një tjetër situatë në karrierën e tij politike. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 11 shtator 2015 do të bënte publik një urdhër të firmosur nga kryeinspektori Shkëlqim Ganaj më 28 korrik, ku Ndoka nuk e justifikon shumën e rreth 1.5 milionë eurove nga pasuria e deklaruar.

Ky institucion bëri të ditur gjithashtu se, Ndoka ka refuzuar ftesën për të dhënë shpjegime për këtë pasuri të pajustifikuar dhe për këtë arsye çështjen ia kaloi Prokurorisë.

Top Channel