Tahiri: Dialogu me Serbinë do të intensifikohet

10/10/2015 20:05

Ministrja e Kosovës për Dialog me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se do të intensifikohen angazhimet që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa të presë zyrtarisht në takim zyrtarin ndërlidhës të Serbisë në Kosovë dhe kryeministri i Serbisë Vuçiç të presë zyrtarin ndërlidhës të Kosovës në Serbi.

Pas takimit të fundit me palën serbe në Bruksel një ditë më parë, ku u diskutua për procesin e zbatimit të disa prej marrëveshjeve ku janë shënuar ngecje dhe vonesa në proces, ministrja Tahiri tha se Kosova do të vendos masa reciproke ndaj Serbisë sa i takon targave të automjeteve.

Tahiri theksoi se pala e Kosovës ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën për reciprocitet që sigurohet nga Marrëveshja e lëvizjes së lirë e vitit 2011, duke vlerësuar se në qoftë se Serbia nuk i heq targat “prova” për automjetet e Kosovës me tabelat “RKS”, atëherë Kosova do zbatojë masa reciproke ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia.

Sipas komunikatës të lëshuar nga ministrja për dialog, për çështjen e njohjes reciproke të diplomave universitare mes dy shteteve, në takimin e kaluar ishte arritur një marrëveshje me të cilën është hapur rruga e zhbllokimit të zbatimit të marrëveshjes për diploma të vitit 2011, por të cilën Serbia nuk e kishte zbatuar asnjëherë.

“Në takimin e djeshëm u dakordua që zbatimi të filloi në fund të tetorit dhe sipas marrëveshjes në periudhën prej 5 muajsh duhet të njihen të gjitha diplomat që janë në pritje të njohjes, rreth 400 prej tyre. Në të njëjtën kohë, Kosova do të bëjë njohjen e 14 diplomave që janë në pritje. Risi e marrëveshjes së arritur është që njohja e diplomave është zgjeruar, pra krahas njohjes së diplomave univeristare ( bachelor, master dhe doktoraturë), do të njihen edhe diplomat e shkollave të mesme dhe shkollave vokacionale/kualifikuese të të gjitha niveleve, sipas standardeve evropiane”, ka thënë Tahiri.

Top Channel