Tri ditë zi kombëtare në Turqi

11/10/2015 12:00

Turqia nisi tri ditë zi kombëtare pas dy shpërthimeve në një tubim për paqen në kryeqytetin Ankara, që morën 95 jetë njerëzish.

Ky ishte sulmi më i rëndë i këtij lloji në historinë e vendit. 245 janë të plagosurit, 48 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Pamjet filmike treguan skena paniku e njerëz që dergjeshin në rrugë në pellgje gjaku.

Qeveria i cilësoi shpërthimet “sulme terroriste” e me zemërim, i hodhi poshtë zërat se faji rëndon mbi vetë ekzekutivin turk. Nga sa pohoi kryeministri Ahmet Davutoglu, ka prova të qarta se sulmet, që vijne tre javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, u ndërmorën nga dy kamikazë.

Shpërthimet ndodhen pranë stacionit qendror të trenit ku njerëzit po mblidheshin për marshimin e organizuar nga grupet majtiste me kërkesën që t’i jepet fund dhunës mes militantëve separatistë kurdë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe qeverisë turke.

Armëpushimi mes tyre u rrëzua në muajin korrik, e që prej atëherë vendi është zhytur në një spirale paqëndrueshmërie me sulme “sy për sy e dhëmbë për dhëmbë” nga të dyja palët.

Tensionet mes kurdëve e nacionalistëve turq sot janë përflakur sërish dhe në mesin e etheve që rrethojnë përsëritjen e zgjedhjeve në nëntor, që do të ndodhte diçka e rrezikshme, kjo ishte mëse e pritshme.

Partia prokurde HDP menjëherë deklaroi se fajin e kishte shteti, një referencë kjo ndaj forcave të errëta e të përziera nacionaliste që mbështesin qeverinë aktuale. Aleati kyç i Perëndimit pranë Lindjes së Mesme, tani përballet me stuhinë perfekte: polarizimin e thellë politik, flusken e bumit ekonomik në prag shpërthimi, rishpërthimin e dhunës me PKK-në, kërcënimin e Shtetit Islamik, pa harruar pastaj edhe barrën jo të vogel të kujdesit për dy milionë refugjatët sirianë.

Top Channel