De Biasi: Arritëm objektivin e parë, të mos ndalemi

11/10/2015 00:00

Pa më të voglin dyshim, një meritë të jashtëzakonshme për këtë sukses të kombëtares sonë ka trajneri De Biasi. Pas fitores në Armeni ai foli për Supersport duke thënë se rruga ka qenë e vështirë për të arritur në këto nivele.

“Është një lumturi e jashtëzakonshme, një ndjesi e papërshkrueshme. Deri këtu kemi arritur hap pas hapi dhe nuk ka qenë shumë e thjeshtë, por dua t’iu kujtoj të gjithëve atë letër të parë për lojtarët pas humbjes ndaj Gjeorgjisë. Kur u thashë të gjithë lojtarëve duhet të besojmë dhe të gjithë bashkë duhet të bëjmë diçka të madhe. Rruga ka qenë e vështirë dhe në fund ka nga ata që buzëqeshin më shumë dhe dikush më pak, por sot jemi ne ata që buzëqeshim. Besoj se bëmë diçka të rëndësishme, nuk ishte e lehtë të fitonim sot këtu pas disfatës së fundit në shtëpi”.

Momenti i krijuar pas disfatave të fundit me Portugalinë dhe veçanërisht asaj me Serbinë ka qenë vërtet kritik me De Biasin që rrëfen se si arriti të motivojë lojtarët për sfidën vendimtare me Armeninë.
“Realisht kjo ishte një ndeshje e vështirë me shumë tension. Lojtarëve iu thashë, është një rrugë e gjatë që kemi bërë deri këtu dhe ky është një tension që duhet ta përballojmë. Nuk janë ato dy humbje që do të na ndalojnë, ne duhet të vazhdojmë!”.

Janë momente gëzimi, por De Biasi mbetet ambicioz dhe kërkues. Sipas tij, kjo skuadër mund të rritet edhe më tepër për Europianin e vitit të ardhshëm.

“Unë besoj se kjo skuadër ka ende vend për tu përmirësuar, duhet të synojmë të mos ndalemi këtu dhe të rritemi gjithmonë. Duhet të vazhdojmë rritjen. E rëndësishme është që objektivi i parë u arrit dhe që treguam se edhe një vend i vogël me shumë punë mund të arrijë rezultate shumë të mëdha”.
Në fund edhe një dedikim për fitoren.

“Këtë fitore ja dedikoj familjes në radhë të partë dhe natyrisht edhe gjithë shqiptarëve që na kanë ndjekur me zemër dhe me dashuri”.

Top Channel