Kombëtarja, pritje madhështore; mijëra vetë në Rinas dhe Tiranë

12/10/2015 00:00

Mijëra shqiptarë kishin dalë për të pritur në aeroportin “Nënë Tereza” heronjtë kuqezi, të cilët pas fitores 0-3 ndaj Armenisë në Jerevan kualifikuan Shqipërinë për herë të parë në një kampionat europian.

Ka qenë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Sporteve, Lindita Nikolli, që kanë përgëzuar që në pistën e aeroportit përfaqësuesen kuqezi, e cila me rezultatet e arritura në këto eleminatore ka thyer çdo rekord në historinë e futbollit shqiptar.

Nën brohoritjet dhe këngët patriotike të tifozëve të shumtë, autobusi i kombëtares u nis drejt Kryeministrisë. Pasi ka nderuar kombëtaren e futbollit me medaljen e mirënjohjes, kreu i qeverisë Edi Rama dha lajmin për ndërtimin e stadiumit të ri të kombëtares.

“Të kualifikoheshit ose jo mbrëmë, unë sot do t’ju jepja juve lajmin se kemi vendosur bashkë me presidentin e FSHF-së nisjen e punimeve për ndërtimin e Arenës Kombëtare në Tiranë, një stadium më i madh që do të jetë shtëpia e kuqezinjve në kryeqytetin e gjithë shqiptarëve. Arena Kombëtare do t’ju kushtohet juve dhe në hyrjen e saj do të shkruhen emrat tuaj në një pllakë ari, një për një”, deklaroi Rama.

“Shprehja e Mit’hat Frashërit thotë, ‘shqiptarët do të fitojnë çdo luftë pasi të kenë fituar betejat mes vetes’. Këtë herë besoj se kjo kombëtare ka arritur diçka të papërsëritshme, pasi ne çdo lloj xhelozie e interesi personal e kemi lënë anash. Jo se në të kaluarën nuk është bërë, por nuk është bërë mjaftueshëm. Këtë herë u bë nga këta djem, që janë djem të mrekullueshëm dhe brezat e ardhshëm duhet t’i kujtojnë sepse kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme”, tha kapiteni i kombëtares, Lorik Cana.

“Duhet të besosh vërtet fort, siç kanë besuar këta djem, pa të cilët unë nuk do të kisha bërë asgjë. Unë thjesht i shoqërova, i bashkova, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të mi dhe jam përpjekur të nxjerr prej tyre atë që ata e kishin por nuk e dinin që e kishin”, u shpreh trajneri Gianni de Biasi.

“Nuk janë yje, por së bashku përbëjnë një yll të madh. Unë do të ndihem i gëzuar që ata të kënaqen me atë që kanë bërë dhe që do të bëjnë atje. Por pse mos t’i vëmë vetes një objektiv, që ne nuk do të kthehemi nga Franca nga grupi. Të tregojmë se nuk do të shkojmë për turizëm në Francë. Të tregojmë se ne kemi futboll dhe nuk jemi rastësisht këtu”, tha më tej presidenti i FSHF-së, Armando Duka. 

FOTO GALERI
1/11
Naser Aliji

Top Channel