Fitorja e Shqipërisë ndaj Armenisë është festuar në të gjitha vendbanimet shqiptare në Maqedoni.

Menjëherë pas ndeshjes, mijëra të rinj kanë dalë rrugëve të Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Dibrës e Strugës për të festuar suksesin historik të kombëtares shqiptare. Me flamuj kombëtarë në duar, këngë e valle, festa ka vijuar me orë të tëra, pavarësisht reshjeve të shiut.

“Kjo është diçka e pabesueshme, me të vërtetë ëndrra u bë realitet”, tha Samir Bajftari, qytetar.

“Është kënaqësi dhe krenari për sukseset e mëdha të djemve tanë, jo vetëm në Armeni, por edhe në ndeshjet e tjera. Gëzuar Shqipëri, gëzuar shqiptarë kudo që jeni”, tha Rasim Bajrami, qytetar.

“Është sukses shekullor për skuadrën shqiptare. Është një kënaqësi për të gjithë kombin dhe na bën krenarë”, tha Mustafa Bela.

Urimeve për kualifikimin e kombëtares shqiptares në “Euro 2016” u janë bashkuar edhe politikanët shqiptarët në Maqedoni. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se “Nuk ka më mirë në këtë botë, sesa të jesh shqiptar. Urime kombëtares shqiptare dhe çdo shqiptari në çdo cep të botës. Francës po i vjen flamuri më i bukur në botë”.

Edhe Menduh Thaçi, kreu i partisë opozitare PDSH, ka uruar të gjithë shqiptarët. “Francë, ne po vijmë! Urime të gjithë shqiptarëve!”, ka shkruar Thaçi në Facebook. Ndeshjen Armeni-Shqipëri, ai e ka ndjekur në “lagjen e Trimave” në Kumanovë, në praninë e shumë qytetarëve.

Ndërkohë, kreu i komunës Çair, Izet Mexhiti ka marrë pjesë në festimet e mijëra të rinjve nëpër rrugët e Shkupit.

“Ky është momenti, ku shqiptarët u bashkuan me të njëjtat emocione për të falënderuar De Biasin dhe të gjithë lojtarët e kombëtares, të cilët në mënyrën më të mirë bashkuan Shqipërinë”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës Çair.

Top Channel