Sulmet terroriste nga ISIS, por Turqia nis ofensivë antikurde

12/10/2015 00:00

Ekzekutivi turk nuk priti të sqarohet se mbi kë rëndon përgjegjësia e sulmeve vdekjeprurëse gjatë mitingut për paqen në Ankara, por nisi bombardimin e pozicioneve të militantëve kurdë në juglindje të vendit.

Avionët e forcave ajrore turke kanë goditur, sipas raporteve në mediat lokale, disa objektiva të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në atë zonë dhe përtej kufirit në Irakun verior.

Duke cituar opinionet e ekspertëve, zyrtarë të sigurisë u shprehën më herët se dyshojnë, që pas dy shpërthimeve qëndron Shteti Islamik. Ndërkohë, siç pohoi vetë ushtria turke, janë shkatërruar pozicionet e PKK-së në Metina dhe Zap, e janë shënjestruar edhe fortesat e militantëve kurdë në provincën e Dijarbakirit.

49 persona thuhet të kenë humbur jetën gjatë kësaj ofensive, megjithatë të dhëna të tilla nuk janë verifikuar dot në mënyrë të pavarur. Mësymja ajrore erdhi pak, pasi ekzekutivi refuzoi armëpushimin e ri të shpallur nga kurdët të shtunën.

“Pushimzjarri me PKK-në nuk ka asnjë vlerë për ne, – i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” një zyrtar i lartë turk. – Operacionet ajrore, – shtoi ai, – do të vazhdojnë pa ndalim”.

Qeveria turke i refuzoi e tërbuar pretendimet e opozitës se, ishte dhe vetë e përfshirë në shpërthimet e Ankarasë. Tensionet në Turqi, edhe pa ndodhur masakra e së shtunës, ishin mjaft të larta përpara zgjedhjeve të parakohshme të 1 nentorit.

AKP-ja në pushtet humbi mazhorancën e saj absolute në votimet e qershorit, pas terrenit që fitoi Partia Demokratike e Popullit, forca politike prokurde e përfshirë në tubimin e dy ditëve më parë.

Udhëheqësi i saj, Selahattin Demirtas kaloi menjëherë në akuza ndaj qeverisë, për të cilën tha se ka dështuar të hetojë siç duhet sulmet e mëhershme gjatë tubimeve politike. “Si ka mundësi – ishte pyetja e tij, – që shteti, të cilit nuk i shpëton lajmi për një zog që fluturon në qiell, nuk arriti dot të shmangte një gjakderdhje të tillë në zemër të Ankarasë”.

Sipas HDP-së, bilanci i vërtetë i vdekjeve nuk është 95, sa ç’pohojnë zyrtarët turq, por të paktën 128.

Top Channel