Të presësh në radhë, e mërzitshme?

12/10/2015 00:00

Të presësh në radhë, sot në Shtetet e Bashkuara është bërë punë e vërtetë, e paguhet me 25 dollarë, për orën e parë që kalon në këmbë.

Pas kësaj shtohen 10 dollarë për çdo 30 minuta më shumë.

Robert Samuel është një prej atyre njerëzve, që kur humbi vendin e punës, nuk ra prè e dëshpërimit, por zgjodhi të shfrytëzonte fantazinë dhe durimin.

Kështu, fillimisht rrinte vetë në radhë në këmbim të parave të ofruara nga dikush, që donte ta shmangte këtë humbje kohe.

Sot, ai ka themeluar firmën e vetë “Sold”, e cila ofron këtë lloj shërbimi, duke vënë në radhë punonjësit e tij, të cilët nuk fitojnë pak, por gati 4 mijë dollarë në muaj.

Rekordin, deri më tani e mban vetë Samuel, me 38 orë pritjeje për të blerë një celular të porsahedhur në treg.

Një studim në Shtetet e Bashkuara tregon se, amerikanët kalojnë çdo vit 37 miliardë orë duke pritur në radhë. E nëse është vërtet kështu, atëherë shërbimet e Samuelit dhe firmës së tij do të vazhdojnë të jenë mjaft të kërkuara.

Top Channel