Iraku goditi autokolonën e tij, por misteri al-Baghdadi vijon

12/10/2015 00:00

Figura të larta drejtuese të Shtetit Islamik, plot 8 të tillë, besohen të kenë rënë viktima të një sulmi ajror të forcave irakene, teksa takoheshin në një qytet perëndimor të Irakut, por kreu i vetmuar i grupit xhihadist, Abu Bakr al-Baghdadi nuk duket të jetë mes tyre. Lajmi bëhet i ditur nga rezidentë lokalë dhe burime të spitalit dhe shëndetësisë.

Iraku bëri të ditur gjatë së dielës se forcat e saj ajrore goditën mbi takimin e militantëve të ISIS, ashtu sikurse edhe një autokolonë që dyshohet të ishte duke transportuar al-Baghdadin drejt atij takimi. Megjithatë, Baghdadi mësohet të jetë larguar nga autokolona në rrethana ende misterioze, ashtu sikurse e panjohur mbetet edhe gjendja e tij shëndetësore.

Njoftimi i ushtrisë irakene është raportimi i fundit i pakonfirmuar i vdekjes së mundshme apo plagosjes së al-Baghdadit, i cili u ka mbijetuar sulmeve ajrore prej një viti të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, por edhe luftërave shumëpalëshe në dy vendet e Lindjes së Mesme, Irak e Siri, që kur e shpalli veten kalif të të gjithë myslimanëve pasi forcat e tij pushtuan pjesën më të madhe të Irakut verior gjatë vitit të kaluar.

Një llogari në Twitter, që publikon deklarata nga Shteti Islamik bën të ditur se “thashethemet” se një sulm ajror kishte shënjestruar al-Baghdadin ishin të rreme.

Ndërkohë, një zyrtar ushtarak amerikan në Bagdad, duke folur në kushte anonimati, tha se SHBA-të nuk kanë vërejtur ndonjë shenjë treguese se al-Baghdadi është vrarë apo është plagosur gjatë operacionit.

“Forcat ajrore irakene kanë bombarduar autokolonën e terroristit Abu Bakr al-Baghdadi, teksa po i drejtohej një takimi në Karabla, për të biseduar me komandantë të Daeshit”, thuhet në deklaratën e ushtrisë irakene.

Daesh është akronimi arab i Shtetit Islamik, i njohur gjithashtu edhe si ISIS apo ISIL. Karabla është një qytet në provincën irakene të Anbarit, pranë kufirit me Sirinë, që është edhe fortesë e Shtetit Islamik, por nuk duhet ngatërruar me Kerbala, një qytet i shenjtë shiit në jug të vendit.

Pentagoni, sakaq, tregohet i kujdesshëm me pohimet e tij se, për momentin nuk i konfirmon dot të tilla raporte. Por, ndërsa vetëm vitin e kaluar ka pasur të paktën dy spekulime të goditjes së al-Baghdadit në sulme ajrore, ekspertët shtrojnë pyetjen: A ka vërtet një udhëheqës kyç, asgjësimi i të cilit do të jepte një goditje shkatërrimtare? Po strategjia e prerjes së kokës, që udhëheq, a funksionon vërtet, apo agjencitë perëndimore të antiterrorit thjesht përballen me një proces të paqartë të fshirjes së emrave, në një listë që nuk zvogëlohet kurrë?

Figurat më të rëndësishme të terrorit të eliminuara këto 5 vitet e fundit janë Osama bin Laden, e kleriku amerikano-jemenas Anwar al-Awlaki. Vdekja e Bin Ladenit në 2011-n pati rëndësi të madhe simbolike, por përsa i takon kontrollit operacional, e madje edhe drejtimit strategjik të al-Qaedas, ai kishte mbetur një hije e vetvetes, kur u zbulua në Abbottabad të Pakistanit.

Vetë Sekretari i atëhershëm amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta do ta pranonte muaj më vonë se, ai asgjësim e kishte ngadalësuar kancerin kryesor, “por tani e dimë, – do të shprehej ai, – se ai në fakt ka lëshuar metastazat e veta në pjesë të tjera të globit”.

Top Channel