Prishtinë, nxënësit braktisin mësimin për të festuar kualifikimin historik

12/10/2015 00:00

Festa për kualifikimin e kombëtares shqiptare për kampionatin europian “Francë 2016” ka vazhduar edhe të hënën në rrugët e Prishtinës.

Nxënës të shkollave të mesme dhe atyre fillore të kryeqytetit kosovar kanë lënë mësimin  dhe kanë marshuar në rrugët dhe sheshet e qytetit, duke brohoritur “Shqipëri, Shqipëri”, e duke kënduar këngë patriotike.

Të mbështjellë me flamuj kuqezi, ata kanë brohoritur kryesisht thirrjet “Shqipëri etnike”, “O sa mirë me qenë shqiptarë” dhe “Lironi Ballist Morinën”.

Të pyetur nga Top Channel, nëse ikja nga shkolla është bërë në mënyrë të organizuar, ose nëse është marrë leje për një gjë të tillë, nxënësit nuk kanë dashur të japin përgjigje.

Ndërkohë, festën e kanë vazhduar edhe qytetarë të tjerë me flamuj kombëtarë të vendosur në makina, shtëpi, bare e vende të tjera.

Top Channel