Kosovë, mbulohen sërish pikturat me simbole kombëtare në Kuvend

12/10/2015 00:00

Në mjediset e Kuvendit të Kosovës janë mbuluar sërish pikturat me simbole kombëtare. Ato janë zëvendësuar me piktura, njëra me hyjneshën në fron dhe tjetra me ujëvarën e Mirushës.

Pikturat ishin zbuluar nga opozita javën e kaluar, ndërsa qëndronin të mbuluara që prej vitit 2004. Në atë kohë, autoritetet u detyruan t’i mbulonin, pasi deputetët serbë bojkotuan punimet e Kuvendit për shkak të tyre. Të njëjtin reagim e përsëritën një javë më parë edhe deputetët aktualë serbë në Kuvendin e Kosovës.

Tashmë është opozita kosovare, që reagon kundër rimbulimit.

“Kur të gjithë po festonin fitoren e madhe të Kombëtares dhe kualifikimin për në kampionatin europian, Veseli – ashtu sikurse UNMIK-u më herët, – i mbuloi pikturat, që shfaqin momentet më të rëndësishme parlamentare të historisë sonë; Kuvendin e Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit. Sikundër UNMIK-u, për të mos e zemëruar Beogradin zyrtar”, thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se, pikturat e larguara nga Kuvendi janë pjesë e historisë dhe identitetit të popullit kosovar, që nuk duhen fshehur.

Por Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet këshilltarit Blerim Latifi lëshoi një deklaratë për shtyp ku tha se vendimi i Kadri Veselit për muralet është trashëguar nga katër legjislaturat e kaluara.

Sipas tij, kryetari Veseli ka qenë i detyruar të respektojë qëndrimet zyrtare të kryesive të deritanishme të Kuvendit, deri në një vendimmarrje të re.

Kryetari Veseli, shtoi ai, do të propozojë një konferencë me profesionistë të fushës së artit, me qëllim që në muret e Kuvendit të prezantohen vepra me vlera të vërteta artistike, kombëtare dhe universale.

FOTO GALERI
1/3
Pamje e mbulimit të pikturave të vjetra me të reja

Top Channel