Kostoja e refugjatëve, Merkel: Nuk do të rrisim taksat, kemi kapacitete

12/10/2015 00:00

Valën e paprecedentë të azilkërkuesve, Gjermania mund ta përballojë edhe pa rritur taksat. Pas diskutimeve me ministat e Brendshëm të secilit land, Kancelarja Angela Merkel njoftoi se nuk do të ndiqet kjo rrugë, për të ndihmuar finacimin e kujdesit ndaj qindra e mijëra të ardhurve këtë vit.

“Mund të kënaqemi me menaxhimin shumë të mirë që kemi pasur prej vitesh, falë të cilit situata jonë ekonomike është sot e qëndrueshme”, i tha shefja e ekzekutivit gjerman gazetës më të shitur në vend, “Bild”.

“Pavarësisht fluksit të emigrantëve, askush nuk duhet të shqetësohet se këta të ardhur rishtazi do të ulin cilësinë e deritanishme të shërbimeve”, shtoi ajo, duke iu referuar sidomos sistemit shëndetësor.

Qëndrimi i palëkundur në raport me azilkërkuesit e ka vënë Merkelin në shënjestër jo vetëm të opozitës, por edhe të disa prej vetë aleatëve të saj politikë. Megjithatë, në intervistën e dhënë për “Bild”, Kancelarja u shfaq krejtësisht e pashqetësuar nga sondazhet, që tregojnë një rënie të popullaritetit.

“Personalisht, sistem matës nuk kam anketimet, – ishte komenti i Merkelit. – Detyra ime është t’u gjej problemeve një zgjidhje, e aty e kam përqëndruar të gjithë vëmendjen”.

Sipas sondazhit të fundit të publikuar nga “Bild am Sonntag”, 48% e të intervistuarve nuk pajtoheshin me mënyrën sesi Merkel e ka menaxhuar krizën e emigracionit, ndërsa 39% e mbështesnin qasjen e saj.

Nga parashikimet e zyrtarëve gjermanë, vendi këtë vit duhet të përgatitet për 800 mijë kërkesa azili, ndërsa disa nga mediat vendase spekulojnë se, deri në muajin dhjetor, numri i refugjatëve do të mbërrijë në një milion e gjysmë.

Top Channel