Britani, policia heq rrethimin ndaj Assange tek Ambasada e Ekuadorit

12/10/2015 00:00

Policia britanike “Scotland Yard” ka njoftuar se do të heqë ruajtjen vizuale 24 orëshe, që po i bën Ambasadës së Ekuadorit, që prej qershorit të vitit 2010, kur themeluesi i Wikileaks, Julian Assange kërkoi strehim politik në atë ambasadë në Londër.

Assange u arrestua në bazë të një urdhërarresti europian në dhjetor të 2010-s dhe në bazë të urdhrit të ekstradimit, ai duhej të përgjigjej për një sërë akuzuash penale në Suedi.

Assange nuk iu përgjigj këtij urdhërarresti dhe kërkoi strehim politik në Ambasadën ekuadoriane në Londër. Duket se, vendimi i Policisë britanike vjen për arsye finnaciare, por Policia thotë se do të shtojë përpjekjet e fshehta për ta arrestuar themeluesin e Wikileaks, nëse ai del prej asaj ambasade.

Një zëdhënës i Policisë tha se “operacioni për arrestimin e Assange vazhdon gjithsesi dhe, nëse ai largohet nga ambasada, do të bëhen të gjitha përpjekjet për arrestimin e tij”.

Operacioni i ruajtjes së Assange natë e ditë i ka kushtuar kësaj policie rreth 11 milionë stërlina deri më sot.

Julian Assange kërkoi strehim politik në Ambasaden ekuadoriane me pretendimin e frikës së tranferimit të tij nga Suedia në Shtetet e Bashkuara, ku ai mund të ndiqej penalisht për botimin e kabllogrameve diplomatike, të cilat sipas amerikanëve kanë dëmtuar sigurinë kombëtare të atij vendi.

Top Channel