Nishani i jep Kombëtares “Nderin e Kombit”

12/10/2015 00:00

Pas Kryeministrisë, stacioni i radhës i Kombëtares shqiptare ishte Presidenca, aty ku kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani u dorëzoi kuqezinjve dekoratën “Nderi i Kombit”.

“Ndjehem shumë i emocionuar dhe njëkohësisht tepër krenar. Kombëtarja shqiptare e futbollit, sot më shumë se kurrë përfaqëson fytyrën dhe karakterin e kombit shqiptar, atë europian. Rrugëtimi i tyre deri në finalen e Parisit është ende i largët dhe i gjatë, por ëndrra vazhdon për çdo shqiptar. Sot jam mëse i bindur se në mbarë popullin tonë, shpresa i është kthyer më shumë”, tha Presidenti Nishani.

Gjatë kësaj ceremonie Presidenti Nishani vlerësoi edhe Federatën Shqiptare të Futbollit për kontributin e rëndësishëm gjatë këtyre viteve në futbollin shqiptar duke i dorëzuar Presidentit Duka titullin “Mjeshtër i Madh”.

“Nuk mund të gjej fjalë dhe nuk mund të përfundoj dhe më duket sikur e kam detyrë të përditshme të vazhdoj të falenderoj çunat për rezultatin. Ne nuk kemi yjë, por kemi një skuadër yll. Kemi arritur diku dhe besoj se nuk është pak. në emër të çunave ju premtoj se do të kemi një përfaqësim dinjitoz në Francë”, tha Duka.

Në ceremoni merrnin pjesë edhe kryetari i Kuvendit Meta dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Top Channel