Greqi, Tsipras takon komisionerin e OKB-së për Refugjatë, Guterres

12/10/2015 20:15

Kryeministri grek, Alexis Tsipras dhe komisioneri i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Antonio Guterres, kanë shprehur solidaritetin e tyre në përballimin e krizës së emigrantëve, duke dhënë mesazhin se problemet e refugjatëve nuk mund të zgjidhen me qasje teknokratike apo me politika të bazuara në disa ligje,por me një qasje njerëzore dhe me një mikpritje humane.

Në përfundim t vizitës së tij dyditore në Athinë dhe disa ishuj të Greqisë, Guteres ka theksuar se duhet përforcuar bashkëpunimi i Agjencisë për Refugjatë me qeverinë greke në mënyrë që të ketë një organizim dhe mbështetje më të mirë në menaxhimin e flukseve të mëdha të refugjatëve, në shërbimin e azilit dhe në bashkëpunimin me qeveritë e tjera europiane , duke pasur parasysh se kjo krizë nuk do të jetë e shkurtër.

“Unë do të thoja se një solidaritet efektiv me vendet pritëse, duke i lejuar këto vende gjithashtu t’u sigurojnë refugjatëve të drejtën për të punuar dhe mundësinë e vetëmbështetjes, do të ishte një kontribut shumë i rëndësishëm për të zvogëluar këtë fluks në Europë”,  u shpreh komisioneri Guterres.

Guterres, që ka mësuar nga autoritetet portuale të Lesvos se më shumë se 50000 refugjatë janë zhvendosur nga ishulli drejt Pireut prej 25 shtatoritë, ka theksuar se duhet të ketë një legjislacion më të fortë për më shumë mënyra ligjore të hyrjes në Europë, qoftë përmes risistemimit direkt nga vendet e ikjes, ribashkimit familjar ose permes dhënies së vizave.

“Ne duhet të rrisim ndjeshëm mënyrat se si këta njerëz duhet të vijnë ligjërisht në Europë dhe kjo mund të bëhet përmes risistemimit nga vendet fqinje me ato të refugjatëve, pranimeve humanitare nëpërmjet vizave të dhëna për këtë kategori, ose përmes programeve të zgjeruara të ribashkimit familjar”, vazhdoi Guterres.

Sipas “Human Rights Watch” mungesa e një sistemi të rregullt të regjistrimit, apo edhe të përkthyesve, e kombinuar me nevojën urgjente të njerëzve për të vazhduar udhëtimin e tyre nëpër Europë, ka krijuar një situatë të paqëndrueshme në qendrën e pritjes në Lesvos.

Agjencia e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se fluksi aktual i hyrjes të më shumë se 8000 refugjatëve në ditë në Europë, mund të jetë vetëm “maja e ajsbergut”, dhe u ka kërkuar qeverive të punojnë së bashku për t’i dhënë fund luftës civile në Siri.

Ndërkohë, Berlini i ka bërë orët e fundit thirrje Ankarasë dhe Athinës, si dy anëtare të NATO-s, të bashkëpunojnë më shumë për menaxhimin e krizës së refugjatëve në mënyrë që të pengohet veprimtaria e trafikantëve të qenieve njërezore në detin Egje.

Top Channel