Turqi, përcillen viktimat; protesta kundër Erdogan

12/10/2015 00:00

Moment të trishtueshme kanë mbërthyer Turqinë teksa familjarët kanë përcjellë për në banesën e fundit trupat e viktimave të atentateve të së shtunës në Ankara.

Të afërmit janë pikëlluar nga humbja e njerëzve të tyre dashur, disa prej të cilëve madje kanë humbur edhe ndjenjat gjatë ceremonive mortore.

“Do të doja të kisha vdekur edhe unë. Është e tmerrshme të jem dëshmitar i një ngjarjeje të tillë”, tha familjari i një prej viktimave.

“Sot e kam kuptuar se e shtuna paska qenë e vërtetë dhe jo ëndërr. Ne humbëm shokët tanë. Ndihem bosh”, u shpreh një vajzë e re.

Dy shpërthimet e njëpasnjëshme ditën e shtunë që i morën jetën 97 personave, sipas qeverisë turke, kanë një autor dhe ai është ISIS.

Por, sipas mijëra protestuesve që mbushën rrugët e qyteteve kryesore të vendit, fajtori është dikush tjetër: presidenti Recep Tayip Erdogan, i cili sipas tyre ka ndarë popullin në dy pjesë, duke vënë shtetin kundra kurdëve.

Disa demonstrues thërrisnin: “Shteti është vrasës dhe duhet të mbajë përgjegjësi!”. Po ashtu, ata ngritën zërin për mungesën e sigurisë në vend. Kjo zgjoi edhe tensione se cili është fajtori i vërtetë i kësaj tragjedie.

Ndërsa kryetari i partisë pro-kurde e shfrytëzoi këtë moment që t’i bënte thirrje votuesve që t’i jepnin fund regjimit të presidentit Erdogan në zgjedhjet e ardhshme.

Por, duke replikuar, kryeministri Ahmet Davutoglu hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur ato “të pabaza dhe të rrezikshme”. Ai mohoi gjithashtu se sulmet të kenë ardhur si rezultat i përfshirjes së Turqisë në luftën në Siri.

Qeveria beson se ishin dy kamikazë fajtorët që morën jetën e 97 personave dhe lanë qindra të plagosur gjatë një tubimi për paqen në kryeqytetin Ankara.

Top Channel