Francë, arrestohen punonjësit e “Air France” që dhunuan shefat

12/10/2015 21:30

Pesë punonjës të magazinës së “Air France”, disa prej të cilëve me detyrë në sindikatën përkatëse, janë arrestuar pasi të hënën e kaluar sulmuan fizikisht disa drejtues të ndërmarrjes, në shenjë proteste ndaj planit të shkurtimit të 3 mijë vendeve të punës.

Katër prej tyre janë vënë në pranga mëngjesin e së hënës në banesat e tyre, pa shkaktuar incidente, ndërsa i pesti në orët e mëvonshme, në shtëpinë e tij në hyrje të Parisit.

Ata janë identifikuar falë filmimeve të kamerave të sigurisë, që një javë më parë xhiruan protestat e dhunshme të stafit të kompanisë ajrore.

Aktet e dhunës atë ditë u dënuan nga presidenti Hollande dhe kryeministri Valls, për himazhin e keq që sipas tyre i shkaktuan Francës.

Gjatë protestave, drejtori i burimeve njerëzore Xavier Broseta dhe kolegu i tij Pierre Plissonier i shpëtuan tërbimit të manifestuesve me rroba të shqyera, duke kapërcyer një gardh metalik.

Pamjet filmike dhe fotot e tyre bënë xhiron e botës, ndërkohë që në total mbetën të plagosur 7 persona, njëri prej të cilëve rëndë.

Ndërkohë, këtë të hënë kanë rifilluar kontaktet mes krerëve të sindikatave të punonjësve dhe krerëve të bordit të “Air France” dhe në takimet që do të zhvillohen në ditët në vazhdim do të jetë edhe numri 1 i kompanisë, Alexandre de Juniac.

Top Channel