Arrestimi i Kurtit, tensionohet situata në Kosovë. Përplasje mes policisë dhe aktivistëve të VV-së

12/10/2015 22:30

Menjëherë pas arrestimit të deputetëve Albin Kurti e Glauk Konjufca, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje të gjithë aktivistëve që të mblidhen pranë stacionit policor ku po mbahet ish-kreu i kësaj lëvizje.

Të parët që janë parë pranë stacionit kanë qenë kryetari i VV-së, Visar Ymeri, si dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Atyre i janë bashkuar edhe aktivistë të VV-së.

Në një moment, situata është tensionuar, pasi aktivisttët kanë filluar të gjuajnë me gurë në drejtim të dyerve të stacionit policor. Por, policia këmbëngul se Kurti nuk gjendet aty, ndërsa kanë përdorur edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë aktivistët.

Edhe partia tjetër, e cila ka qenë bashkë me VV-në dhe AAK-në në aksionet kundër “Zajednicës”, Nisma për Kosovën, përmes një deklarate kanë kërkuar lirimin e Kurtit, pasi “nesër mund të jetë shumë vonë”.

“Arrestimi i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga policia e Kosovës, dëshmon edhe njëherë se qeverisja aktuale është e gatshme të shkelë mbi çdo gjë vetëm që të ruaj pushtetin e saj dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë. Prandaj hiqni dorë nga rruga e demonstrimit të forcës sot, pasi nesër mund të jetë vonë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Nismës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel